Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka bërë të ditur vendimet më të fundit të qeverisë.
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Manja është shprehur se me vendimet më të fundit, i është hapur rrugë zgjidhjes përfundimtare për procesin e kompensimit të pronave.
Ulsi Manja: Sot, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, kemi kaluar 2 vendime të rëndësishme në Këshillin e Ministrave dhe që përfundimisht i hapin rrugë zgjidhjes përfundimtare të procesit të kompensimit të pronave në Republikën e Shqipërisë. Me këto 2 vendime sot, ne kompletojmë të gjithë paketën e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji dhe tashmë, procesi i njohjes të drejtës së pronës dhe të shpërblimit financiar për ata që do të kompensohen, nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Me këto 2 vendime, çdo ish-pronar që ka një kërkesë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, ose do të bëjë kërkesë për njohjen e të drejtës së pronës dhe që prona është e lirë, i kthehet fizikisht siç e kanë pasur në momentin që i është konfiskuar nga shteti. Prona e lirë e ish-pronarëve kthehet pa kufizim. Për ata ish-pronarë, prona e të cilëve është zënë me ndërtime informale apo që do të përdoren për interes publik, do të ketë një masë të shpërblimit financiar.
/a.r