Fejzo Zekaj, pronari i një kompleksi luksoz vilash në Farkë të Tiranës, u arrestua dje nga policia, pasi Gjykata e Breshias në Itali kishte lëshuar urdhërarrest për të, si i kërkuar për trafik droge. Policia nuk specifikoi as kohën kur ishte shpallur në kërkim dhe as rrethanat e trafikut të narkotikëve, porse saktësoi se në ditët në vijim do të nisin procedurat e sekuestrimit të vilave në pronësi të Zekajt. Kompania e tij, “F.Z. Construction”, e cila operon në Tiranë, përpos ndërtimeve në Sauk, Lundër dhe te Liqeni i Thatë, ka përfituar edhe fonde publike.
Arrestimi për drogë
Fejzo Zekaj, lindur në Kuçovë, një biznesmen i njohur ndërtimesh në Tiranë u arrestua nga drejtoria e Krimit të Organizuar, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike. Policia e Shtetit tha se 38-vjeçari Zekaj u arrestua, pasi Gjykata e Breshias në Itali kishte lëshuar një urdhërarrest kundër tij. Në një njoftim të shkurtër për shtyp, policia deklaroi se ndaj Zekajt ishte vendosur masa e “arrestit me burg” nga gjykata italiane. Biznesmeni i ndërtimit, i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike në Itali, ishte shpallur në kërkim që në vitin 2015, por kërkesa e drejtësisë italiane vonoi të ekzekutohej për muaj me radhë. Emri i Fejzo Zekajt, pronar në hije i kompanisë së ndërtimit “F.Z. Construction”, nuk ishte i panjohur për policinë, pasi ka qenë i dyshuar për veprimtari të paligjshme, por kishte përfituar “paprekshmëri” nga statusi social i siguruar përmes investimeve të rëndësishme. Gjatë kohës që Zekaj ishte në hetim në Itali, ai ia ka dalë të ndërtojë dhe të rrisë biznesin e tij në Shqipëri. Pas arrestimit, Fejzo Zekaj pritet të përballet me gjykatën, ku do të shqyrtohet kërkesa e drejtësisë italiane për ekstradimin e tij. Autoritetet shqiptare kanë aprovuar kërkesat për ekstradim që vijnë nga shtetet anëtare në BE, gjatë viteve të fundit, por disa të arrestuar të profilit të lartë, të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe veprimtari të krimit të organizuar, kanë mundur të rrëzojnë në gjykatë kërkesat për ekstradim.
Bizneset
Kompania e ndërtimit “F.Z. Construction” u themelua në vitin 2007 në Tiranë dhe një vit më pas rezulton të ketë përfituar edhe fonde publike. Të dhënat mësohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve, ku thuhet se kjo kompani zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga nëna 68 vjeçe e Fejzo Zekajt dhe administrohet nga motra e tij. Në QKR thuhet se kapitali i kompanisë është 126 milionë lekë, ndërsa aktiviteti i saj shtrihet së fundmi në ndërtimin e një kompleksi pallatesh në zonën e Liqenit të Thatë, një kompleks rezidencial në Sauk dhe një tjetër kompleks vilash luksoze në Lundër, i quajtur “White Houses”. Përveç ndërtimit të komplekseve të banimit, F.Z. Construction ka përfituar në të shkuarën edhe fonde publike për rikonstruktimin e rrugëve në Tiranë dhe në Berat. Në profilin e kompanisë në “Facebook” thuhet se ajo ka përfituar një tender prej 158 806 814 lekësh për ndërtimin e një rruge në Bllokun 45, projekt i zbatuar në vitin 2008, një vit pasi kompania ishte krijuar. Po në të njëjtin vit, “F.Z. Construction” ka kryer rikonstruksionin e rrugës Çorovodë – Teqeja – Kanione Skrapar, me një fond prej 54 902 588 lekësh të Bashkisë së Beratit. Në lidhje me këto komplekse pallatesh, Policia e Tiranës thotë se do të kalohen në sitë të gjitha lejet e dhëna për ndërtimin e tyre. Ndërkaq, do të shihet mundësia që pasuria të hetohet në bazë të ligjit “Antimafia”, ku nëse rezulton se paratë janë siguruar nga trafiku i narkotikëve, do të procedohet më tej në Gjykatën e Krimeve të Rënda për “pastrim parash”. Në vitin 2010, një “pasuri” prej 70 mijë eurosh është bllokuar nga Gjykata e Tiranës, në bazë të ligjit “Antimafia”, pasi dyshohen se kanë prejardhje kriminale. Kapitali i bllokuar u përkiste dy vëllezërve Astrit dhe Fejzo Zeka, të cilët janë hetuar dhe gjykuar në shtetin italian për trafik të narkotikësh.