Një ndër premtimet që duket se i dha një frymë tjetër shtetit të Kosovës ishte ai i partisë Vetëvendosje në kohën kur kryeministri Kurti ishte në opozitë. Kurti premtoi se Kosova do të depozitonte një padi për gjenocidin e Serbisë gjatë luftës së Kosovës. Ky, ishte një ndër premtimet simbol të Vetëvendosjes, i cili pas dy vitesh në pushtet të qeverisë Kurti, duket se është pranë.
Por a mundet të padisë Kosova Serbinë?
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca komunikoi të hënën se Kosova është pranë përfundimit të padisë kundër gjenocidit serb ndaj popullit të Kosovës. Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se për padinë ndaj Serbisë janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional.
“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhë një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë, edhe sot dhe mund të konstatoj që kjo është shumë afër…nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional, që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe mendoj që është bërë një punë e mirë deri tash, është afër por për të gjitha hollësitë ua shtroni pyetjen Qeverisë“, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti ka qenë politikani më i zellshëm sa i takon kësaj çështjeje shumë të rëndësishme për evolimin e shtetit të Kosovës. Kurti gjatë fushatës elektorale premtonte se Qeveria e tij do ta kishte prioritet këtë nismë, e kur erdhi në pushtet, përsëri nuk është se hoqi dorë siperfaqësisht nga ky zotim. Ai së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, deklarativisht kanë qëndruar në ballë të kësaj nisme.
“Jemi të bindur se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, në luftën e fundit dhe kjo meriton një padi, e Qeveria e Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë…” – deklaronte Kurti, edhe në cilësinë e Kryeministrit.
/s.f