Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, mbështetës i Sali Berishës, tha se opozita nuk i shmanget përgjegjësisë për humbjen në 14 maj, e pikërisht për këtë, thotë se po bëhet analiza se përse humbën në zgjedhjet vendore. I ftuar në emisionin “Debat” në A2 CNN, Baçi nuk specifikoi se sa kohë do të marrë dokumentimi dhe mbledhja e fakteve në atë që ata quajnë masakër elektorale.
“Nuk i shmangemi përgjegjësisë për problematikat që kemi, denoncime i kemi bërë herë pas here, dokumentimi dhe mbledhja me fakte dhe bërja e një dosje të saktë, do kohën e saj dhe strukturat janë në punë e sipër, mendoj se edhe ju si media ka parë që zgjedhjet kanë qenë me problem dhe shqetësime”, tha Luan Baçi
Ai bëri fajtor edhe retorikën e kreut të qeverisë Edi Rama, sipas së cilit thirrja e tij për të mos votuar në 14 maj është marrë e mirëqenë nga votuesit dhe solli pasoja për elektoralin e djathtë. Baçi e pranon se edhe përçarja në PD, ishte një arsye për humbjen.
“Qytetarët janë intimiduar nga thirrja e kryeministrit, siç ishte thirrja për të mos votuar, ka edhe një arsye tjetër që është që PD e dalë me 2 kandidat, dhe ajo pjesë e demokratëve me mos orientimit, me nostalgjinë për logon”, u shpreh deputeti.
Nga ana tjetër, zgjedhjen e Gazment Bardhit në krye të grupit të PD, e sheh si një formë “ për t’i fryrë zjarrit të përçarjes”.
“Basha ka mbaruar punë me PD si drejtues, do ishte mirë të kontribuonte si deputet dhe zotërinjtë që kanë vulën duhet t’i japin fund, të kuptojnë që retorika e tyre për bashkim kanë marrë fund, ose të bëjnë bashkimin defakto të PD, ose lojëra të tilla duke vendosur një kryetar grupi dhe duke mos zbatuar një statut, nuk kanë si qëllim bashkimin, por përçarjen”, shtoi Baçi.
Në kuadër të bashkimit, deputeti demokrat nuk përjashton as Lulzim Bashën apo Enkelejd Alibeajn.
“Nuk mendoj se ka figura përjashtimore, vetë statuti nuk të lejon të përjashtosh”, u shpreh ai.
/a.r