Inflacioni në vend shënoi një vlerë mesatare prej 6.5% në tremujorin e parë të vitit 2023, vlerë shumë e lartë duke parë rënien e ndjeshme të inflacionit të importuar si dhe mbiçmimin e fortë të lekut, duke konfirmuar trendin e përhershëm të tregtarëve shqiptarë: ngritjen e çmimeve menjeherë sapo ato rriten në tregjet ndërkombëtare, por refuzimin për uljen e tyre pasi kjo ndodh në tregjet më të cilet ndërveprojmë.
Çmimi i naftës Brent shënoi nivelin 78$/fuçi në muajin mars, nga 81$/fuçi në dhjetor, dhe rreth 33% më lirë sesa në vitin e kaluar, Çmimi i energjisë elektrike po ashtu u përgjysmua nga niveli i fundvitit të kaluar, ndërkohë çmimet e ushqimeve janë ulur me rreth 14%.
Ndërkaq, Inflacioni vjetor në Shqipëri vijoi të përcaktohet nga kategoria “Ushqime të përpunuara” (me kontribut 45%) në tremujorin e parë. Kontribut shumë të lartë patën edhe bulmetet e buka dhe drithërat.
Sipas bankës së Shqipërisë inflacioni bazë, i cili matet mbi 69.2% të shportës së IÇK-së, shënoi vlerën 8% gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, në ngadalësim më të dobët nga sa pritej, duke mbetur në vlera të larta historike. Të njëjtën sjellje demonstroi edhe inflacioni i brendshëm, duke qëndruar pranë vlerës 6%.
Ndërkaq, Inflacioni bazë neto, që përjashton nën-grupet e ushqimeve të përpunuara shënoi vlerën 4% duke qëndruar në nivel më të lartë se sa ai i një tremujori më parë (3.8%).
Zhvillimet e mësipërme kanë vijuar të ruajnë dhe të forcojnë sjelljen mbizotëruese të komponentëve bazë dhe të brendshëm në formimin e inflacionit, me kontribute përkatëse 82% dhe 75%, kundrejt reduktimit të shpejtë të kontributeve nga komponentët jobazë dhe të importuar në inflacion.