Kryetari i parlamentit grek i ka dorëzuar mesditën e së hënës presidentes së vendit dosjen me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të djeshme në Greqi, ku konservatorët e Kyriakos Mitsotakis kanë triumfuar përtej parashikimeve me 40,79% të votave dhe 146 mandate në parlament, duke shtuar fuqinë e tyre krahasuar me 4 vjet më parë me mbi 150 mijë vota.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis më pas ka telefonuar liderët politikë duke i thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zhvillohen më 25 qershor.
Kryeministri Mitsotakis takoi ne mesdite presidenten e Greqisë për të marrë mandatin për formimin e qeverisë, por deklaroi pas takimit se do ta kthejë atë pasi nuk ka kushte për krijimin e qeverisë.
Në të njëjtën kohë ai la të hapur mundësinë e mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve më 25 qershor, siç parashikon procedura, që po zbatohet për herë të parë në vend.
Mandati presidencial do ti shkojë me radhë partisë së dytë dhe të tretë deri në fundjavë dhe meqënëse asnjë nga forcat politike që u futën në parlament nuk duan koalicion me partitë e tjera, atëhere kthehet tek presidentja, e cila sipas kushtetutës beton parlamentin e ri, të cilin e shpërndan një ditë më vonë pasi nuk mund të krijohet qeveria.
Më pas krijohet një qeveri teknike me kryeministër një gjykatës të lartë, i cili shpall zgjedhjet brenda 20 ditëve rreth fundit të qershorit, zgjedhje që zhvillohen me sistem proporcional të përforcuar ku partia e parë në bazë të përqindjes do të marrë nga 20 deri në 50 vende shtesë në parlament.
Vlerësohet se konservatorët nuk do ta kenë të vështirë të sigurojnë këtë shumicë parlamentare, ndërsa me interes të madh priten zhvillimet në partinë Syriza, por edhe tek socialistët e PASOK-ut, të cilët pretendojnë të bëhen forca e dytë politike në vend.
Në raundin e dytë pritet veçse konfirmimi i këtij vendimi të qartë.
/a.r