Nënë e bijë janë kapur sot në aeroportin e Rinasit pasi kishin fshehur 40 mijë euro në trup. Policia bën me dije se secila prej tyre kishte fshehur nga 20 mijë euro dhe do të procedohen penalisht.
Po ashtu forcat policore kanë pikasur një tjetër 35-vjeçare ka tentuar të udhëtojë bashkë me djalin e saj të mitur me dokument fals.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Sekuestrohen 40 000 euro që tentuan t’i nxirrnin nga vendi ynë, duke i fshehur në trup, 2 shtetase (nënë e bijë). Të dyja shtetaset u proceduan penalisht. Procedohet penalisht edhe një 35-vjeçare që tentoi të dilte nga vendi ynë, së bashku me djalin e saj të mitur, me një dokument të dyshuar fals.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara në hyrje/dalje, për të siguruar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, kanë konstatuar dhe goditur 2 raste të paligjshmërive në kufi, për të cilat:-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset S. S., 66 vjeçe dhe E. K., 43 vjeçe (nënë e bijë), të dyja banuese në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve fizike, shërbimet e Policisë i gjetën secilës prej tyre, 20 000 euro të fshehura në trup, me qëllim mosdeklarimin konform ligjeve në fuqi;
–u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. H., 35 vjeçe, banuese në Dibër, pasi gjatë kryerjes se procedurave në aeroportin e Rinasit, teksa udhëtonte së bashku me djalin e saj 16-vjeçar, ka paraqitur një dokument (deklaratë noteriale) të dyshuar të falsifikuar. Shuma 40 000 euro dhe dokumenti i dyshuar fals u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, bën me dije policia.
/a.r