Gjykata e Posaçme ka kërkuar sot shoqërimin me forcë të Sali Berishës në procesin e nisur ndaj tij pas padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për akuzën e shpifjes.
Shkak u bë deklarata e Berishës më 7 prill se kryebashkiaku ka lidhje me Iranin dhe me financat e gardës revolucionare, pas të cilës, Veliaj ndoqi rrugën ligjore duke e paditur për shpifje në gjykata.
Në seancën e parë gjyqësore, ku palët pyeten për mundësinë e zgjidhjes së çështjes me pajtim, u paraqit vetëm Veliaj. Trupi gjykues bëri të ditur se Sali Berisha dhe avokati i tij nuk janë paraqitur edhe pse kanë marrë dijeni për procesin.
Në këto kushte, referuar nenit 351 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata kërkoi pjesëmarrjen e tyre në seancë përmes njoftimit të policisë.
Kujtojmë se Sali Berisha publikoi gjatë një emisioni televiziv një foto ku pretendonte se ishte Erion Veliaj i cili kishte shkuar në Iran i maskuar e me paruke. Por në të vërtetë në një intervistë për Report Tv, Veliaj zbuloi se personi që kishte publikuar Berisha në foto ishte Joe Walsh, një kitarist i njohur amerikan. Veliaj tha se fotoja e kitaristit të njohur, e publikuar nga Berisha, është shkrepur tre vite para se të lindte ai.
/a.r