Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet tha sot në Senatin amerikan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është prioritet për adminitratën Biden.
Zoti Chollet foli përpara komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatin, i cili mbajti sot një seancë dëgjimore mbi angazhimin amerikan në Ballkan.
“Politika jonë bazohet në një parim të thjeshtë: një Evropë e tërë, e lirë, e begatë dhe në paqe është në interesin e sigurisë sonë kombëtare dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një pjesë e munguar e enigmës“.
Sfida më e ngutshme, tha Këshilltari i Departamentit të Shtetit, janë çështjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e plotës të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha zoti Chollet.
Por ai shtoi se aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë nuk do të përmbushen derisa të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.
Për zotin Chollet marrëveshja e Ohrit përcakton një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Kosova riafirmoi përkushtimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një veprim që ne i kemi kërkuar që ta ndërmarrë me shpejtësi, të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të ofrojë mbrojtje të fuqishme për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe”, tha ai.
Po kështu ai shtoi se Kosova dhe Serbia do të njohin gjithashtu dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Dhe se Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Sipas zotit Chollet marrëveshja paraqet një përparim të rëndësishëm në tejkalimin e ciklit të krizave që ka karakterizuar marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve për një kohë të gjatë.duke shtuar se SHBA do të vazhdojmë të punojmë me të dyja palët në mënyrë që ato të përmbushin angazhimet e tyre reciproke.
Duke iu referuar Serbisë, zoti Chollet tha se SHBA është e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Serbinë, por e bën këtë duke i kushtuar një vëmendje të madhe asaj që mund të ndodhë. Serbia tha ai ka sfida të rëndësishme përpara duke filluar nga korrupsioni deri te ndikimi i dëmshëm rus, përfshirë dezinformimin.
“Historia jonë ka qenë e vështirë dhe marrëdhënia jonë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Megjithatë është në interesin tonë që të ndihmojë Serbinë të realizojë potencialin e saj të plotë dhe të afrohet më shumë me komunitetin euroatlantik.Për të qenë të qartë, progresi duhet fituar”.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Serbia duhet të përmbushë angazhimet për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive me të gjithë fqinjët e saj dhe demokraci të fortë dhe të qëndrueshme në vend për të arritur këtë vizion.
Gjatë fjalës së tij i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Ecobar tha se dështimi për të bërë përparim në drejtim të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi i ka dhënë mundësi Rusisë, të luajë një rol dëmtues, në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet për të çliruar potencialin e tyre të plotë dhe përparimin në rrugët e tyre drejt Evropës.
Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Bob Menendez, theksoi se thelbi i stabilitetit në Ballkan është zgjidhja përfundimtare e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai shprehu kritika ndaj zyrtarëve amerikanë, duke thënë se i është krijuar përshtypja se Kosovës po i bëhet presion për të krijuar Asociacionin, ndërsa pak presion po i bëhet Beogradit, pak presion po i bëhet një udhëheqësi, që siç u shpreh Senatori, gazeta Nju Jork Times, e karakterizoi si një politikan me lidhje të thella me botën e krimit të organizuar.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të Senatorit Menedez se Asociacioni do të kthehej në një lloj “Republika Serbska” në Kosovë, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se Asociacioni do të krijohet brenda Kushtetutës së Kosovës dhe i bazuar në modele evropiane që tashmë ekzistojnë./VOA