Një 20-vjeçar shqiptar nga Korça është vrarë në mënyrë brutale në Suedi, ku është qëlluar mbi 25 herë me thikë nga disa persona me kombësi arabe. 20-vjeçari Lauren Spaho kishte shkuar në Suedi 7 muaj më parë, ku edhe punonte në ndërtim.
Ngjarja ka ndodhur më datë 8 maj në qytetin Karlstad të Suedisë, por nuk ishte bërë publike. 20-vjeçari nga Korça, Lauren Spaho ka qenë në një disko bashkë me disa bashkëmoshatarë të tij me kombësi arabe.
Autoritetet suedeze kanë lajmëruar autoritetet shqiptare dhe më pas policia shqiptare ka lajmëruar familjen e 20-vjeçarit për ngjarjen e rëndë.
Në një komunikim për News24 familja e 20-vjeçarit pretendon se autoritetet shqiptare nuk i janë përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë që të marrin trupin e djalit të tyre.
Madje babai i Laurenit ka tentuar vetë të shkojë në Suedi që të marrë trupin e djalit, por nuk është lejuar. Po ashtu familjarët pretendojnë se ambasada shqiptare në Suedi nuk i ka ndihmuar.
Ndërsa autoritetet suedeze kërkojnë që të përfundojnë të gjitha procedurat hetimore dhe nuk po lejojnë marrjen e trupit të 20-vjeçarit nga familja.
/s.f