Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka cilësuar mungesën e emrit të tij në fletën e votimit, si një prej shkaqeve kryesore për humbjen në zgjedhjet vendore.
Ai tha se Rama privoi të gjitha fondet që i takonin me kushtetutë koalicionit Bashkë Fitojmë.
Gjithashtu shtoi se një tjetër faktor për humbjen ishte edhe mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës.
“E kemi të qartë si në dritën e diellit përpjekjen e narko shtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe kushtetutë por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vetë dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij. Një aleancë krimi në nivel politik nëntokësor apo terreni, u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit trinomi Rama-Doshi-Brava. Ishte shëmtia më e madhe me veprimet e tyre në këtë proces zgjedhor. Siç konstaton me të drejtë raporti i vëzhguesve, blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës të vërtetë të koalicionit Bashkë Fitojmë ishte një akt tjetër pabarazie e madhe. Dhuna, terrori ndaj eksponentëve të opozitës është përdorur gjer në pengmarrje të tyre”- u shpreh Berisha.
/a.r