Me një pjesëmarrje shumë më të ulët se sa në vitin 2021, Partia Socialiste arriti të shtojë gati 9 mijë vota mbështetëse për kandidatin e saj Benet Beci, duke realizuar rezultatin më të mirë në historinë e zgjedhjeve në Shkodër, ndërsa opozita e koalicionit Bashkë Fitojmë humbi plot 15 mijë vota, në poërmbysjen më dramatike elektorale në shumë kohë.
Vetëm 34% e shkodranëve morën pjesë në zgjedhjet e së dielës, më e ulëta në histori, me përjashtim të vitit 2019 kur kishte vetëm një kandidat. Bashkia më e madhe e veriut, e cila numëron 170 mijë votues të regjistruar dhe renditet bashkia e katërt më e madhe në vend, i dha kandidatit të Partisë Socialiste Benet Beci një fitore mbresëlënëse me 60% të votave, ndërsa mbështetja për Becin ishte më e larta në numër votash të gëzuara nga PS në këtë bashki në histori.
Rezultati ishte gjithashtu një përmbysje spektakolare dhe e pabesueshme. Në vitin 2021, dy partitë e koalicionit opozitar PD dhe LSI patën marrë në Shkodër gati 38 mijë vota, duke fituar me rezultatin 54 me 37 përkundrejt dy partive të koalicionit joformal qeverisës, PS dhe PSD. Në total, opozita humbi 15 mijë vota dhe maxhoranca fitoi 8,646 vota.
Rezultatet e Shkodrës ka gjasa do të debatohen gjatë. Rezultatet për këshill bashkiak nuk janë ende të disponueshme pasi votat për këshill nuk janë numëruar deri në publikimin e këtij shkrimi./BIRN