Në 19:00 ka përfunduar zyrtarisht afati i votimit për kryebashkiakët dhe këshillat bashkiakë që do të drejtojnë 61 bashkitë për 4 vitet e ardhshme.
Votimi përtej orarit zyrtar vijon vetëm aty ku ka ende votues.
Prej orës 07:00 të mëngjesit deri në 19:00, qytetarët i janë drejtuar kutive të votimit për të hedhur votën për 61 kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë. Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në të gjithë vendin ishte i qetë pa incidente serioze.
Pjesëmarrja e votuesve është e ulët dhe kjo nisi që në mëngjes pasi procesi nisi me një problem serioz në funksionimin e pajisjeve të identifikimit elektronik. E gjitha solli ikje të njerëzve që ishin në qendrat e votimit për të votuar. Problemi u zgjidh me urdhër të KQZ që njoftoi se procesi duhet të vijojë manualisht, që do të thotë se zgjedhësit do të identifikohen me anë të listave të printuara.
KQZ njoftoi më herët se në më shumë se 500 qendra votimi ka probleme me pajisjen e identifikimit, ndërkohë që pjesë tjetër, pra në rreth 4700 qendra votimi janë plotësisht funksionale. Problem ishte edhe mungesa e komisionerëve kryesisht të Partisë Demokratike./m.j