Analisti Mark Marku ka folur sa i takon procesit zgjedhor në bashkitë e vendit. Marku u shpreh se pjesëmarrja konsiderohet relativisht e ulët.
“Zgjedhjet e kaluara lokale, ishin pa sens sepse praktikisht nuk kishte pjesëmarrje të PD, nuk besoj që duhet të merren për krahasim. 32% pjesëmarrja deri tani sepse kemi edhe pak kohë për pjesëmarrje të fundit. Është një pjesëmarrje relativisht e ulët krahasuar me numrin e votuesve. Është shumë e vështirë ta masësh sepse llogaritet 32% e atyre në listat e zgjedhjeve, nuk dihet sa janë në Shqipëri. Më duket një proces që është vlerësuar nga qytetarët, ka pasur parregullsi, por jo të jashtëzakonshme.”
Ai theksoi se problemet teknike i dekurajojnë qytetarët të votojnë si dhe humbet besimi te teknologjia e cila në këtë rast i shërbeu negativisht procesit.
“Te qendra e votimit ku votova unë, te kutia funksiononte pjesa e votimit elektronik, ndërkohë një kat më poshtë nuk funksiononte. Është problem i madh sepse lë vend për abuzime, pse nuk funksionon teknikisht, është bërë investim 22 mln euro. Po testohet dhe mendohet shumë shpejt do kalohet në votim elektronik. Duhet marrë seriozisht sepse nëse fut teknologjinë në zgjedhje duhet të marrësh masa që të funksionojë, s’mund të pengojë teknologjia procesin.
Një sistem i mirë zgjedhor i motivon zgjedhësit, ndërsa kjo i dekurajon sepse jo të gjithë janë militantë. Ka një ditë zgjedhjesh, por ka dhe një ditë të jetës së vet, nuk mund të rrijë gjithë ditën në qendër votimi. Sot përshembull mezi po gjeja emrin, u bezdisa. Nuk është fort komode për qytetarin që të presë, të shkojë prapë dhe ndoshta prapë nuk funksionon. E mbi të gjitha humb besimi te teknologjia, mendojnë se ky sistem mund të tjetërsojë votën.”/m.j