Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi është pyetur edhe nëse do të shtyhet votimi përtej orës 19:00.
Celibashi theksoi se deri më tani nuk ka asnjë indicie për ta shtyrë votimin por nëse do të ket qytetarë që mund të presin, atëherë ata do të kenë të drejtën të votojnë edhe përtej orës 19:00.
“Nuk kemi asnjë shkak ligjor deri tani për të shtyrë orarin e votimit. Rikonfirmoj edhe njëherë se nëse në orën 19:00 do të jenë votues që presin për të votuar në qendrën përkatëse, komisioni do të shënojë emrat e atyre votuesve dhe do t’i lejojë ata që të votojnë dhe asnjë tjetër pasi të ketë përfunduar votimi.”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka raportuar të dhënat e fundit në lidhje me procesin zgjedhor në 61 bashkitë e vendit.
Në një dalje për mediat ai theksoi se bashkitë që janë hasur më me shumë probleme janë Tirana, Dropulli, Kamza, Konispoli, Lezha, Tropoja.
Ndër të tjera ai tregoi dhe kallëzimet që janë bërë nga PS për dy kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Luçiano Boçi dhe Belind Këlliçi.
“Janë tre denoncime në dy subjekte zgjedhore, tre nga PS dhe një nga koalicioni BF.
Një në Elbasan me Luçiano Boçin dhe në Tiranë. Ka një denoncim në KQZ nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për parregullsi gjatë shpërndarjes së materialeve elektorale. Janë 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm.
Bashkitë që janë prezantuar si me problem, janë Tirana, Dropulli, Kamza, Konispoli, Lezha, Tropoja. Në referim të përmbajtjes së këtyre denoncimeve, lidhen me parregullsi gjatë ushtrimit të detyrës nga ana komisionerëve. Korrupsion aktiv apo pasiv, ka denoncime mbi intimidimin e votuesve në Peshkopi dhe në Tiranë. Denoncime në lidhje me përmbajtje elektorale në rrjetet sociale. Ka denoncime dhe për votim familjarë në disa qendra votimi”- tha ai.
Celibashi bëri me dije se janë 998.633 votues që janë identifikuar nëpërmjet pajisjes së identifikimit.
Ndërkohë 93.86% votuesve u është marrë shenja e gishtit, ndërsa pjesa tjetër ka votuar vetëm me kartë identitet për arsye objektive./m.j