Në Shqipëri mbahen nesër zgjedhjet lokale, ku Partia Socialiste ka bërë një lëvizje mbresëlënëse duke caktuar një pjesë të buxhetit të fushatës së saj për mbjelljen pemëve në çdo qytet të vendit, shkruan faqja e internetit thegeopolitics.com.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se synimi i tij dhe i partisë së tij në pushtet është të mbjellë të ardhmen për brezat që do të vijnë, duke lënë diçka të mirë pas këtyre zgjedhjeve.
Slogani i zgjedhur prej tij është “Vetëm përpara. Kurrë më mbrapa”.
Kryeministri Rama deklaroi në fillim të fushatës ”se qytetarët janë të lodhur nga negativiteti dhe retorika e ashpër në çdo fushatë zgjedhore dhe se partia e tij nuk ka nevojë të ndotë mjedisin shoqëror të qytetarëve shqiptarë me të gjitha sharjet, ngacmimet dhe lojërat politike ndryshe nga kundërshtarët e tij”.
“Vendosëm të kishim një pamje minimale të ekraneve të mëdha, skenave pompoze dhe materialeve reklamuese,” shpjegoi Rama në eventin e nisjes së fushatës.
“Ne duam të japim një shembull të mirë se si një fushatë nuk duhet të lërë pas gjurmë plehrash, ndotjeje dhe negativiteti”, shtoi ai.
Nisma ka ngjallur një reagim pozitiv tek qytetarët shqiptarë. Shumë prej tyre kanë shprehur mbështetjen e tyre për nismën, duke iu bashkuar kryeministrit në mitingje dhe duke mbjellë pemë së bashku, duke e parë atë si shkëputje nga fushatat tradicionale politike, që fokusohen vetëm në fitimin e votave.
Nëse ju duket pak naive apo e pakuptimtë kjo strategji gaboheni, pasi nuk e njihni Edi Ramën. Kjo nismë nuk është befasuese, pasi tregon qasjen e kahershme novatore dhe krijuese të Ramës ndaj qeverisjes, e cila në thelb është e përqendruar te qytetari.
Për dy mandate e gjysmë në pushtet, fokusi i politikës së Ramës ishte rritja e mirëqenies dhe cilësisë së jetës së shqiptarëve.
Në vitin 2004, Rama fitoi çmimin “World Mayor” për rilyerjen e fasadave të ndërtesave të qytetit, duke e shndërruar Tiranën në një atraksion turistik.
Në kuadër të masterplanit të tij për qytetin e Tiranës, Rama mbolli mijëra pemë, zgjeroi rrugët ekzistuese dhe ndërtoi shumë të tjera, të reja.
Komiteti i Kryebashkiakëve Botëror e quajti Ramën “njeriun që ndryshoi një qytet të tërë dhe se tani ka një Tiranë të re, plot ngjyra, të gëzuara, me infrastrukturë dhe jetë kulturore të re e të përmirësuar”.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim vlerësoi Ramën edhe për një arsye tjetër. Një raport i organizatës PNUD tha se Rama luajti rol jetik në modernizimin e qeverisjes vendore, duke fuqizuar bashkitë dhe duke u dhënë atyre, për herë të parë, fuqi reale për të ndikuar në jetën e komuniteteve të tyre.
Për punën e tij qytetarët e Tiranës e mbajtën kryetar bashkie për një dekadë. Revista “Times” e nderoi atë me ”Çmimin e Heroit Europian”.
Krahas nismës për mbjelljen e pemëve, Rama ka rritur pagat në sektorin publik, ka rritur pagat minimale dhe mesatare në vend dhe po punon edhe me sektorin privat për ta ndjekur këtë vendim.
Në vitet e qeverisjes, ai bëri gjithashtu përparime të mëdha; në nivel kombëtar, në dixhitalizim, sundimin e ligjit dhe politikat kundër korrupsionit.
Qeveria e tij ka zbatuar shërbimet e qeverisjes elektronike, duke lehtësuar aksesin e qytetarëve në shërbimet publike dhe duke reduktuar burokracinë. Ai u ndal gjithashtu në forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e transparencës në qeverisje.
Me përfundimin e rezultatit të zgjedhjeve do të dimë se sa mirë ka funksionuar kjo nismë krijuese për mbjelljen e pemëve.
Sigurisht, nëse e bën këtë, mund të ofrojë një mundësi dhe potencial emocionues për transformimin total të fushatave elektorale, jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta edhe në botë.
Burimi: ATA