Një 36-vjeçar është arrestuar në flagrancë, ndërsa po tentonte të kalonte ilegalisht 10 emigrantë nga Bangladeshi në Malin e Zi.
Gjatë operacionit të koduar “Rrethrrotullimi” atij i është sekuestruar automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga kjo veprimtari kriminale si dhe një aparat celular.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të punës së mbështetur nga inteligjenca informative, për goditjen e rasteve të transportimit të shtetasve të huaj, kundrejt pagesave, për kalim ilegal drejt vendeve të BE-së, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrethrrotullimi”, si rezultat i të cilit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi J. K., 36 vjeç, banues në Durrës.
36-vjeçari u kap në aksin rrugor “Bajzë-Hani i Hotit”, pranë rrethrrotullimit të Hotit, teksa transportonte me një automjet tip “Mercedes Benz”, 10 emigrantë nga Bangladeshi, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, fillimisht në Mal të Zi, por me destinacion vendet e BE-së.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua automjeti, celulari i 36-vjeçarit dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga transportimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”,-thuhet në njoftimin e policisë.
/a.r