Edhe pse është në qeli, të dielën Fredi Beleri mund të vazhdojë të mbledhë vota për karrigen e kryebashkiakut të Himarës.
Arrestimi nuk e pengon atë të jetë kandidat, dhe fleta e votimit vijon të ketë emrin e tij përballë Jorgo Goros.
Jo vetëm sepse fleta e votimit është prodhuar dhe tashmë nuk mund të ndryshohet, por edhe sepse ligji nuk e pengon një të arrestuar ende të padënuar të jetë kandidat për cdo lloj posti.
Ligjërisht, të dielën Beleri mund të mbledhë vota, e nëse është shumicë, ai edhe mund të shpallet fitues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Por pas të dielës, nëse ja del të jetë fitues, marrja e mandatit nga Beleri vihet në diskutim.
Dy elementë mund ta rrezikojnë atë.
Së pari, kryeministri Edi Rama.
Ligji e lejon qeverinë të shkarkojë kryetarët e Bashkive, kur kapen në shkelje të rënda. Dhe Rama e ka bërë këtë me të vetët, pa asnjë përjashtim. Nga Shukri Xhelili te Fatos Tusha apo Lefter Alla, pa kursyer asnjë që drejtësia e ka vënë pas hekurave.
Por, a do të veprojë Rama menjëherë kundër Fredi Belerit nëse e fiton, kjo mbetet për t’u parë.
Së dyti, Beleri mund ta humbasë mandatin e kryebashkiakut, nëse dënohet me vendim të formës së prerë.
Port ë gjithë këto janë skenare që bëhen të parëndësishëm, nëse Beleri lirohet deri të dielën, apo nëse të dielën ai humbet edhe Himarën, sic humbi lirinë./m.j