Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim herët në mëngjes, emisarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak. Ndërmjetësuesi në fakt arriti përpara kryeministrit në godinën e qeverisë.
Lajçak konfirmoi se draft-statuti për krijimin e asociacionit, i prezantuar më 2 maj në Bruksel nga Ekipi Menaxhues, ishte temë diskutimi. Megjithatë, kryeministri i Kosovës e ka refuzuar kategorikisht atë, me arsyetimin se çon në krijimin e një Republika Sërpska, ndërsa qeveria e tij shkarkoi ekipin menaxhues duke nënvizuar se e ka përfunduar misionin. Kurti kërkon me ngulm që për formimin e asociacionit në Kosovë të merret për bazë modeli i Kroacisë për menaxhimin e pakicës serbe.
Pas takimit, Lajçak tha se u diskutua edhe për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të pranuar zyrtarisht nga palët.
“Kam ardhur në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit, pas takimit të 2 majit. Është vërtetë e rëndësishme që të kemi një kuptim të qartë për hapat e ardhshëm. Të njëjtin diskutim do ta bëjë nesër në Beograd. Unë do të takoj kryenegociatorët, zotëri Bislimin dhe Petkoviqin të hënën në Bruksel”, tha Lajçak.
Gjithashtu konfirmoi vizitën e tij në Mitrovicën e Veriut dhe bisedat që do të zhvillojë atje me qytetarë. Palët duhet të përqendrohen kryesisht në normalizim, ishte porosia e tij. Ndërkohë, gjatë të premtes, Lajçak do të vizitojë dhe Serbinë ku do të zhvillojë takime me udhëheqësit shtetërorë, përfshirë presidentin Aleksandër Vuçiç.
/a.r