Kryeministrja Sanna Marin, e cila e futi Finlandën në NATO, ka njoftuar këtë të mërkurë se po divorcohet nga bashkëshorti i saj, Markus Raikkonen, me të cilin ishin në lidhje prej 19 vjetësh.
Marin dhe Raikkonen, të dy në moshën 37-vjeçare, janë prindër të një vajze 5 vjeçe, Emma Amalia Marin. Ata kurorëzuan në martesë lidhjen e tyre në vitin 2020.
“Ne kemi bërë kërkesën për divorc. Jemi mirënjohës për 19 vitet e kaluara së bashku dhe për vajzën tonë të dashur. Ne do të mbetemi miq të mirë dhe prindër të dashur. Ne do të kalojmë kohë si familje për të mirën e vajzës. Ne dëshirojmë të respektoni privatësinë tonë. Nuk duam të komentojmë më shumë”, shkroi Marin në llogaritë e saj në rrjetet sociale.
Sanna Marin humbi zgjedhjet muajin e kaluar dhe do të lërë postin e kryeministrit të Finlandës, të cilën e futi në NATO gjatë mandatit të saj.
37-vjeçarja u përfshi në një sërë skandalesh gjatë vitit të kaluar. Në gusht, Sanna Marin u filmua teksa kërcente në një lokal nate me këngëtarin finlandez, Olavi Uusivirta.
Në atë kohë, u fol se ata kishin një lidhje, por këto pretendime u hodhën poshtë nga kryeministrja në mënyrë kategorike. Ajo tha se ata ishin vetëm miq të mirë. Megjithatë, është e paqartë nëse ky detaj ka ndikuar në marrëdhënien e saj në çift./m.j