4 mësuese nga shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit” kanë ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për t’i dhënë forcë koleges së tyre, Matildës. Së fundmi, Matilda është diagnostikuar me tumor dhe Ermelinda, Donika, Manushaqja dhe Flutura duan t’i bëjnë me dije publikisht në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se ajo ka shumë mbështetje dhe dashuri përreth në mënyrë që t’i japin forcë për të mposhtur sëmundjen.
Mes 4 kolegeve, Manushaqja e ka përjetuar vetë sëmundjen që ka sot Matilda. 3 vite më parë ajo u diagnostikua me tumor dhe ndoqi rrugëtimin e vështirë të shërimit, i cili shpesh e bënte të ndihej edhe e shkurajuar. Në këto momente të vështira ajo gjeti përkrahjen e familjarëve të cilët për t’u solidarizuar me të u qethën tullë.
Manushaqe: Jam nënë e 6 fëmijëve, kam 5 vajza dhe një djalë në fund.
Ardit Gjebrea: T’i kesh me jetë!
Manushaqe: Para 3 vitesh, 6 muaj para se të më shfaqej sëmundja, vajta që të bëja mamografinë bashkë me motrën time. Ndenjëm në radhë sepse ishte koha shumë e shkurtër dhe do shkoja në mësim tek nxënësit kështu që e lashë, e anashkalova, thashë do shkoj një ditë tjetër. Kështu që kaluan ditët dhe unë ika në Angli tek fëmijët, më doli viza dhe vajtëm atje.
Një ditë të bukur u ngrita në mëngjes dhe kur pashë veten time në gjoksin e djathtë, një gjëndër që të them të drejtën edhe unë u shokova. Erdha këtu në Shqipëri, më ekzaminuan, më diagnostikuan dhe njëkohësisht bëra edhe operacionin.
Pas operacionit dihet që është një sfidë edhe më e madhe sepse vjen kimioterapia, unë e mora veten shpejt pas operacionit dhe fillova kimiot. Ama kimiot ishin shumë të vështira, unë bëja kimio dhe shkoja futesha atje në atë krevatin tim dhe mbyllesha në vetvete. Nuk doja as tim shoq, asnjë nuk doja ta shikoja.
Ardit Gjebrea: Po në shkollë?
Manushaqe: Unë kisha flokë shumë të gjata gjithmonë, për periudhën e kimios. Në një kohë kur shikoja flokët e mi që ishin në jastëk, ishte shumë e vështirë por unë i mposhta të gjitha. Erdhi momenti dhe fëmijët, dhëndrat të gjithë nga unë për flokët… ata u qethën dhe u bënë tullë që të më jepnin përkrahje, të më jepnin forcë.
Ardit Gjebrea: Edhe ata u qethën tullë. Të gjithë?
Donika: Po, të gjithë fëmijët dhe dhëndrat u qethën që të më përkrahnin, të më jepnin forcë. Pastaj erdhi momenti që unë mbarova kimiot, 8 kimio kam bërë, të gjitha njëra pas tjetrës.
Manushaqja shton se ishin mjekët ata që këmbëngulën që ajo t’i kthehej punës në mënyrë që të ndryshonte rutinën. Këtë moment ajo e kujton si vendimin më të mirë.
Manushaqe: Në kokë vendosa një kapuç që e kam të fiksuar që tani dhe vajta te koleget, te kolektivi, ku të gjithë më pritën, më buzëqeshnin, më mbanin afër, më qeshnin me fjalët dhe ëmbëlsinë e tyre siç e kanë zyshat dhe unë u ndieva shumë, shumë mirë, shumë e lumtur, më iku komplet ajo monotonia që kisha në shtëpi dhe u ktheva në punë.
Ardit Gjebrea: Po nxënësit?
Manushaqe: Mendoja si do përballesha me nxënësit kur u futa në klasë. Ata kur më panë me kapuç thanë “ua zysha, sa e bukur, sa moderne qenke bërë!” Më kanë mbështetur edhe nxënësit, edhe prindërit, edhe stafi drejtues dhe sidomos koleget në çdo moment unë kam qenë shumë e përkrahur dhe shumë krenare që unë isha pjesë e stafit dhe e kolektivit ku unë jam sot që vazhdoj edhe sot e kësaj dite.