Edhe gjatë takimit me banorët e zonës së Bulevardit të Ri, Erion Veliaj mirëpriti demokratët që iu bashkuan Partisë Socialiste. Ai tha se gjithnjë e më shumë kryeqytetas po e kuptojnë se familja socialiste është shtëpia më e madhe e shqiptarëve.
“Jemi një skuadër që shtohemi, duke ftuar njeri-tjetrin që të na bashkohet në shtëpinë tonë, që shtëpia të bëhet më e madhe dhe që bashkë të ndajmë barrën e këtyre punëve. Shikoni pak shtëpinë tjetër, që funksionojnë si Big Brother. Por, ne të majtët themi: “Kush po hyn në shtëpinë tonë”. Ata kanë merak vetëm kë po nxjerrin nga shtëpia. Nxorrën Lulin, nxorrën Alibeajn, nxorrën Majlindën [Bregu]. Ata specializohen për të nxjerrë njerëzit e tyre nga shtëpia, ne përpiqemi si ta shtojmë shtëpinë tonë të përbashkët. Kur them këtë dhe kur e ilustroj me këto 4 histori, kam parasysh të gjithë ata që sot që unë i takova teksa po vija këtu, një pjesë na janë bashkuar dhe kanë hyrë në këtë shtëpi, që është shtëpia më e madhe, më patriotike, më profesioniste,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se dera e socialistëve do të jetë gjithmonë e hapur dhe se kjo është forca që nuk i braktis kurrë qytetarët.
“Kush ka ardhur këtu sot nga PD-ja, nga ish-LSI-ja, apo nga çdo forcë tjetër, dhe ka gjetur tek PS-ja shtëpinë e madhe që nuk i tradhton kurrë, që nuk i braktis kurrë, që nuk i lë punët përgjysmë, unë iu them: Mirë se erdhët në shtëpinë tonë! Është edhe shtëpia juaj! Fakti që kjo është një shtëpi e hapur dhe fakti që kjo shtëpi nuk i braktis kurrë njerëzit, ka bërë që edhe shumë demokratë dhe shumë aktivistë të partive të tjera të bashkohen me një shtëpi që nuk i lë gjërat në gjysmë, që nuk i lë punët në mes, që nuk e braktis detyrën,” u shpreh Veliaj.
Edhe ministrja Ogerta Manastirliu tha se kryeqyeti ka arsye të krenohet sot, sepse kartëvizita e një kryebashkiaku si Erion Veliaj është Tirana e 2023-shit. “Ne, sot jemi krenarë për Erionin, ndaj e mbështesim me zemër atë. E mbështesim me zemër sepse Erioni sot ka një kartëvizitë shumë të mirë dhe është krenar dhe ju sheh në sy të gjithëve: Ka Tiranën e 2023-shit. Kjo është kartëvizita e Erion Veliajt. Prandaj, Erion Veliaj ka sot kreditet e mëdha dhe del përpara jush për të kërkuar mbështetjen tuaj për të vijuar punët, për transformimin e Tiranës sonë,” deklaroi ministrja.
Veliaj me banorët e Njësive 4, 8 dhe 9: “Jo më kthim mbrapa për Tiranën; Kush dhunon shtëpinë e tij, nuk e ndërton dot shtëpinë tonë të përbashkët”
Kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me banorët e Njësive 4, 8 dhe 9 në kryeqytet, ku së bashku me deputetet e PS, Blerina Gjylameti, Mimi Kodheli dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kërkoi votën për Partinë Socialiste në mënyrë që punët të ecin përpara falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Qeverisë dhe Bashkisë.
Veliaj tha se ky bashkëpunim ka sjellë një transformim urban e infrastrukturor të Tiranës, që nuk ka ndodhur në 100 vitet e saj si kryeqytet. Ai shtoi se me shtrirjen përgjatë Bulevardit të Ri qyteti i Tiranës është rritur dy herë dhe do vijojë të rritet edhe në mandatin e ardhshëm, por për këtë duhet vota e të gjithë atyre që e duan zhvillimin.
“Tirana e dikurshme mbaronte aty ku ka qenë Stacioni i Trenit, kurse sot shtylla kurrizore e qytetit është rritur dy herë, për t’u siguruar që në shekullin e dytë të kemi një qytet që është rritur dy herë në infrastrukturë dhe urbanistikë. Për këtë e kemi vetë në dorë. E kemi vetë në dorë të punojmë, të ecim përpara, ose të mos punojmë dhe të shkojmë mbrapa. Ne e kemi në dorë që të bashkohemi për një qëllim, të dashurojmë njeri-tjetrin dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Ne e kemi në dorë edhe t’ia fusim gjumit. Por tani jemi përpara një vendimi: Do vazhdojmë të ecim përpara apo do kthehemi mbrapa?”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se kthimi mbrapa do të thotë një Tiranë në errësirë, e mbushur me plehra dhe kioska. “Tirana sot është më e bukur, më e pastër, më e ndriçuar. Kthim mbrapa do të thotë që Tiranës mos t’i punojë më Sahati. Kthim mbrapa do të thotë që Tirana të vijë erë dhe të bëhen plehrat mullar, siç i gjetëm. Kthim mbrapa do të thotë që të mos ketë asnjë pemë me gjethe. Kthim mbrapa do të thotë Tirana me 70% errësirë. Kthim mbrapa do të thotë ajo reja e plehrave që digjeshin në Sharrë dhe mbushte me kancer gjithë Tiranën. Kthim mbrapa do të thotë të vijnë marmitat e makinave në sheshin “Skënderbej”. Kthim mbrapa do të thotë gërrhima e një qyteti që nuk lëvizte prej vendit. Kthim mbrapa do të thotë torta e Pavarësisë, ku lamë kokrrën e namit me legenë, me govata, sepse ai ishte kulmi i qytetërimit që përfaqësonin ata. Kthim mbrapa për këta që flasin sot për nënkalimin, do të thotë gropa e Hajdin Sejdisë. Kthim mbrapa do të thotë Parku “Rinia” plot me kioska. Kthim mbrapa do të thotë Lana komplet e zaptuar. Por, ne kemi vendosur të shkojmë përpara”, vijoi Veliaj.
Sipas Veliajt, vota nuk i duhet besuar një partie që në filozofinë e saj ka dhunën dhe nuk vë dot rregull as në shtëpinë e vet. “Kur ti shikon sesi ata trajtojnë shtëpinë e tyre, të jep një shembull si do e trajtojnë shtëpinë tënde. Kur ti shikon që ata i vënë zjarrin shtëpisë së tyre, marrin vare, bishta lopatash, shkopinj bejsbolli, bomba molotov për t’i çarë kafkën njeri-tjetrit, ti kupton se një njeri që nuk e do shtëpinë e tij, nuk e rregullon dot kurrë shtëpinë tënde. Një njeri që djeg shtëpinë e tij, nuk e shuan dot zjarrin te shtëpia jote. Një njeri që përçan shtëpinë e tij, nuk e bashkon dot shtëpinë tënde dhe një njeri që dhunon shtëpinë e tij, nuk e ndërton dot shtëpinë tonë të përbashkët, që është Tirana jonë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij./m.j