Të paktën 8 persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Sipas njoftimit, autori i dyshuar, 21-vjeçari Uros Blaziç, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati.
Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin, të enjten vonë. “Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.
Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media pas këtij sulmi tha se “ky është një sulm ndaj gjithë vendit tonë dhe çdo qytetar e ndjen”.
Vuçiç përmendi disa masa sigurie që do të ndërmarrë qeveria përfshirë punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1.000 të tjerëve për të qëndruar afër shkollave.
“Në mënyrë që prindërit të ndjehen të sigurt, do të ketë edhe polici e oficerë pothuajse gjithmonë në shkollë, derisa të arrijmë në atë nivel që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90 përqind, por do të ulim edhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë me 80 përqind, besoj“, tha Vuçiç.
Sipas disa mediave lokale, autori qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona. Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren.
Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiç, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf.
Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren. Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.
Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë. Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit./REL