Në shumicën e rasteve jemi mësuar që të dëgjojmë lajme se gratë denoncojnë dhunën që u shkaktojnë burrat, por ndryshe ndodh në Pogradec.
Tashmë nuk është më tabu që një burrë të denoncojë bashkëshorten për dhunë. Personat e specializuar që merren me rastet e dhunës, tregojnë se ky fenomen ka ekzistuar gjithmonë, por kohët e fundit kanë nisur edhe denoncimet nga ana e burrave.
Shkaqet janë të ndryshme.
“Rastet e denoncimit të burrave kryesisht për dhunë psikologjike ka ardhur duke u rritur vit pas viti. Kjo vjen për shkaqe të ndryshme. Dinamikat e familjes kanë nisur të ndryshojnë, situata social ekonomike është me stresuese, ka më shumë presion për të siguruar të ardhurat, por edhe kërkesa në familje për të ndjekur hapin e kohës është me e madhe. Kjo ka krijuar tension psikologjik në të dy palët dhe pamundësia e arritjes së këtyre objektivave ka shkaktuar dhunë psikologjike”, thotë Arbi Basho, koordinator kundër dhunës në familje.
Referuar shifrave të marra në gjykatë, 7 burra janë pajisur me urdhër mbrojtje vitin e kaluar, kryesisht për dhunë psikologjike.
“Rastet që burrat kanë denoncuar dhunë në familje janë raste për dhunë psikologjike. Presioni i madh i tyre ka arritur në një pikë ku nuk kanë mbajtur më dhe ka kërkuar ndihmë nga institucionet shtetërore për t’u larguar nga kjo formë dhune”, tregon Basho.
Sipas specialistëve të mbrojtjes ndaj dhunës dhe policisë së Pogradecit rastet kur gratë dhunojnë burrat e tyre janë më të shumta në numër por ato nuk denoncohen për shkak frikës ndaj paragjykimeve. Nga ana tjetër numri i grave që kanë kërkuar urdhër mbrojtje në Pogradec është 10 fish më i lartë se i burrave.
/s.f