Mëngjesi i parë pas masakrës së Beogradit. Lule dhe lot për viktimat. Mijëra u mblodhën në kryeqytet për t’u solidarizuar me familjet e viktimave.
Në sulmin e planifikuar, 13-vjeçari qëlloi për vdekje tetë nxënës plus rojen e shkollës, duke përdorur dy pistoleta që i përkisnin babait të tij.
Policia thotë se i mituri qëlloi fillimisht në drejtim të rojës dhe tre vajzave në korridor dhe më pas qëlloi mësuesen dhe shokët e tij të klasës gjatë orës së historisë. Mësuesja dhe gjashtë nxënës ndodhen në spital, disa me lëndime që u rrezikojnë jetën.
“Si nënë, si gjyshe, si mësuese që punoj 37 vjetësh në një shkollë, jam e tronditur dhe e befasuar. Por nga ana tjetër ka mungesë të madhe kulture që nuk çon në asgjë të mirë. Kjo duhet të marrë fund.”
“Prindërit, sistemi arsimor, shoqëria, vlerat ndaj të cilave jemi të ekspozuar të gjithë përmes internetit. Askush nga ne nuk mendon se si zhvillohet, në cilin drejtim po ndërtojmë identitetin tonë. Askush nuk mendon, prindërit dhe institucionet duhet. shkolla duhet të jetë si një shtëpi e dytë.”
Serbia do të mbajë tri ditë zie kombëtare.
Sulmuesi, i cili u dorëzua në polici dhe në moshën 13-vjeçare është nën moshën e përgjegjësisë penale sipas ligjit të Serbisë, ndaj ai është vendosur në një institucion psikiatrik, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një konferencë për shtyp në mbrëmje pas ngjarjes. Vuçiç shtoi se babai dhe nëna e djalit, i cili mbush 14 vjeç më 30 Korrik, janë arrestuar. Presidenti zbuloi dhe një nga shkaqet e mundshme të krimit.
“Në klasën e tij të re, ndoshta sepse ishte ndryshe nga të tjerët, askush nuk donte ta pranonte, kështu që ai vendosi të kryente një akt monstruoz.” Të shtënat e së mërkurës ndodhën në shkollën fillore Vladislav Ribnikar, një shkollë prestigjioze në një lagje qendrore e Beogradit.
/a.r