Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se kryesia ka marrë vendim që të premten të zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës.
Në një konferencë për media, Veseli ka bërë të ditur kohën e seancës dhe cilët janë kandidatët për të parin e shtetit.
“Të premten në ora 11:00 Kosova do të kalojë një nga momentet më të veçanta të ndërtimit institucional, kemi zgjedhjen e kryetarit të shtetit”, tha Veseli.
“Kemi dy kandidatë. Kryesia sot ka pranuar dy kandidatë Hashim Thaçi dhe Rafet Rama- deputet nga Partia Demokratike e Kosovës. Është moment historik, procesi do të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës”, tha kryeparlamentari.
Veseli ka kritikuar veprimet e opozitës për sjelljen e tyre në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Sipas tij hedhja e gazit lotsjellës tejkalon të gjithë kufijtë e demokracisë.
Veseli ka ftuar opozitën që të jenë pjesë në vendimmarrje e jo siç po veprojnë ata.
Sipas tij, opozita nuk dëshiron zgjidhje në Kosovë, por siç dëshirojnë ata vet.
Siç tha ai tek ta ka një fanatizëm për të arritur me çdo kusht tek ajo çka ata dëshirojnë.
Veseli tha se Kosova ka nevojë për qetësi mes njëri-tjetrit, ndërkohë që ka bërë apel tek të gjitha familjet e Kosovës që ta ruajnë njëri tjetrin.
Ai madje tha se pozita nuk do të ndalet duke ftuar opozitën që të jetë pjesëmarrëse në Kuvend, në dialog si dhe në vendimmarrje.
Veseli për opozitarët dhe ata që mendojnë se ky shtet nuk funksionon.
“Ky shtet nuk do t’i nënshtrohet shantazheve as spekulimeve. Na duhet qetësi. As Serbia s’ka mujt me na imponu jetën. Kur e ka tepru i kemi thanë mjaft”, tha Veseli pas mbledhjes së Kryesisë.
Kryetari i Kuvendit parashikon situata të ngjashme edhe të premten kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Ai madje ndonëse tha se është ‘politikan optimist’ parashikon se e njëjta do të ndodhë, pasi që sipas tij dihen veprimet e opozitës.
“Kjo çka po ndodhë është budallallëk special”, tha Veseli.