Hetimet vijojnë intensivisht në Scaldasole të Pavias për të zbardhur rrethanat e plota të vrasjes së 38-vjeçares Ania Ruçi. Il Giorno raporton se në banesën ku ajo jetonte me qira janë kthyer sërish karabinierët.
Siç raportojnë mediat italiane, autoritetet vijojnë të jenë të heshtur dhe nuk kanë zbuluar asnjë detaj për inspektimin që i bënë në mëngjes shtëpisë.
Autoritetet italiane janë në pritje edhe të përgjigjeve nga Konsullata Shqiptare. Hetuesit janë ende në kërkim të një motivi që mund të zbardhet kur të zbulohet marrëdhënia e vërtetë mes viktimës dhe vrasësit të dyshuar.
38-vjeçarja Anila Ruçi u vra më 19 Prill në banesën e saj. Ajo u gjet e pajetë në divan si pasojë e disa plagëve me thikë. Për vrasjen, autoritetet italiane akuzojnë 31-vjeçarin Osman Bilyhun, i cili ndodhet në paraburgim pasi doli nga spitali.
Dyshohet se pasi kreu krimin, ai është vetëplagosur për të fshehur ngjarjen. Pas ngjarjes u zbulua se ata të dy nuk kishin lidhje familjare, por nuk kishin as marrëdhënie sentimentale. Megjithatë në fshat, Ruçi e kishte prezantuar si vëllain e saj.
Bilyhu tha për hetuesit se ishte sulmuar nga një person i panjohur gjatë së cilit u vra Anila dhe vetë ai u plagos.
Por ky version kundërshtohet nga raporti mjekësor sepse 31-vjeçari u zbulua se i ka shkaktuar vetë plagët dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë që nuk kanë fiksuar të hynte apo largohej asnjë njeri nga shtëpia. Po ashtu mungon edhe arma e vrasjes pasi deri më tani nuk është gjetur thika.
/a.r