Kandidatja për Tiranën, Lajla Përnaska, ka folur lidhur me kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të dalë nga procesi i “Primareve”.
E ftuar në emisioni Quo Vadis në Vizion Plus, Përnaska theksoi se kandidatët u përzgjodhën në bazë të vullnetit të lidershipit dhe nuk përfaqësojnë atë apo demokratët.
“Unë do të mbështesja atë kandidat që më përfaqëson dhe mua, sepse unë nuk pashë një kandidat që të dilte nga të ashtuquajtuarat “Primare” që të më përfaqësonte dhe mua. Kishte midis tyre, që ishin vërtetë figura përbashkuese midis nesh. Unë kam dalluar në atë garë si figurë përbashkuese, Bogdanin, por vullneti i vetë lidershipit të asaj pjesë të PD ishte krejt ndryshe, nxorën një kandidat që mua s’më përfaqëson, as shumë nga ne, sepse këto janë produkte partie, nuk janë individë që kanë investuar në jetën e tyre profesionale dhe në karrierë politike duke ndjekur atë kontribut që kemi zgjedhur të ndjekim ne dhe shumë si puna ime në rrugëtimin tonë politik”, theksoi ajo.
Përnaska e konsideroi procesin e “Primareve” si një proces farsë, duke theksuar se lidershipi imponon kandidatët duke mos marrë mendimin e pjesës tjetër. Ajo theksoi se e njëjta situatë ka ndodhur dhe me Lulzim Bashën dhe zgjedhjen e tij në kryen e PD, që sipas saj rezultoi në zhgënjim.
/a.r