Kandidati i Partisë Demokratike, për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e OSBE/ODHIR në selinë blu. Në një dalje për mediat, Bejko zbardhi fokusin e diskutimeve, ku padyshim që ishin zgjedhjet e 14 majit.
Bejko tha se i ka informuar përfaqësuesit e OSBE-ODHIR-it se disa media në vend vijojnë ta quajnë Sali Berishën dhe si kryetar të Partisë Demokratike duke shkelur ligjin dhe Kodin Zgjedhor. Përveç Berishës, Bejko tha se mediat quajnë edhe kandidatët e Foltores si përfaqësues të Partisë Demokratike.
“I informuam edhe për raportin që ne si PD kemi me mediat, duket ashiqare sidomos në mediat qendrore, TOP, Klan, që e quajnë ende Berishën si kryetar të PD ndërkohë që PD është tjetër kund. PD është tek ne. Kandidatët e tyre i quajnë përfaqësues të PD ose kandidatë të PD dhe kjo është në shkelje të ligjit dhe kodit zgjedhor.
Ndërkohë, Bejko thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk u ka lëvruar fondet, duke i ofenduar të bëjnë fushatë.
“Bëmë me dije që ende sot PD nuk ka asnjë qindarkë të lëvruar nga KQZ për zhvillimin e fushatës, për pasojë PD është penguar të zhvillojë fushatën sepse në mjediset publike ne s’jemi shfaqur me postaret tona pasi. Gjithë hapësirat i ka marrë Rama dhe kandidati i dyshes Berisha-Meta”, u shpreh ai.
Kandidati i PD tha se kanë diskutuar për rolin e patronazhistëve të Partisë Socialsite, si edhe rritjen e pagave. Bejko tha se informoi OSBBE-ODHIR se qeveria ka shkelur ligjin për punësimet, pasi sipas tij, vetëm gjatë kësaj periudhe janë punësuar 3 mijë persona si në pushtetin qendror edhe vendor.
“Në takimin që patëm sot në mjediset e PD me përfaqësues të ODHIR në Tiranë i bëmë prezent të gjithë problematikat që kemi hasur deri më tani sapo ka filluar fushata, një problematikë e tillë që ka të bëjë me ndërhyrjet e qeverisë në shkeljen e ligjit për punësimet. Janë rreth 3 mijë të punësuar gjatë kësaj periudhe, si në pushtetin qendror edhe vendor, me kontratë ose me vende të reja pune me shërbimin civil. I informuam përfaqësuesit e ODHIR për rritjen e pagave, hapjen thesit të madje të investimet vetëm në periudhën zgjedhorë nga ana e qeverisë, duke investuar fonde publike. Me rolin edhe për rolin që kanë patronazhistët, ju duk interesante si përvojë, në vendet e tyre ku demokracitë funksionojnë fenomene të tilla nuk ndodhin”, tha Bejko
Gjatë takimit, Bejko tha ka folur edhe për kryebashkiakun Erion Veliaj, për të cilin thotë se ka shtruar me asfalt elektoral rrugët e Tiranës vetëm për efekt të zgjedhjeve.
“I informuan përfaqësuesit e ODHIR edhe me shkeljet e ndryshme që kemi vënë re në terren ku qytetarët janë shantazhuar për shkak të vendit të punës si edhe investimet elektorale që ka bërë Veliaj ditë e fundit ku ka veshur rrugët e Tiranës me një tapet të hollë asfalti, që e sigurt është që sapo të bien shirat e para ajo rrugë do kthehet në origjinë me gropa dhe e shkatërruar”, vijoi Bejko.
Sipas Bejkos, të gjitha këto çështje ndërhyjnë në procesin zgjedhor dhe deformojnë vullnetin e zgjedhësve./m.j