Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi vendosjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetasit shqiptarë K.K., dhe K.K. si dhe dy shtetas italianë P.C. dhe N.T. të akuzuar për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i K.Penal.
Prokuroria Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 840, të vitit 2020, në lidhje me Subjektin TIRANA-BULLION Sh.p.k me administratore shtetasen K. K.
Sipas organit të akuzës, nëpërmjet shoqërisë fiktive TIRANA-BULLION Sh.p.k me objekt tregtimin dhe eksportimin e floririt, bëheshin blerje fiktive të floririt dhe më pas shitje fiktive me fatura tatimore ku qëllimi i vetëm ishte që nëpërmjet këtyre faturave të justifikoheshin transfertat e vlerave të larta monetare me origjinë të dyshuar kriminale dhe që kapin shifrën e miliona eurove nga Bankat Italiane në ato Shqiptare.
“Për sa më sipër, nga tërësia e veprimeve hetimore, duke pasur parasysh vlerën e detyrimit tatimor të shmangur, vijimësinë e veprimtarisë së kundërligjshme, krijohet bindja e bazuar që personat e mësipërm kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga nenet 180/3 dhe 287/2 të K.Penal.