Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i ftuar në emisionin “Frontline” me gazetaren Marsela Karapanço në News24, ka deklaruar se fakti që kryeministri Rama zgjedh ta përqendrojë fushatën e tij për lokalet e 14 majit tek figura e tij dhe ish-kryeministrit Berisha, është një fyerje për qytetarët.
Meta u shpreh se si ai edhe zoti Berisha nuk janë kandidatë në këto zgjedhje, por se do të jenë në zgjedhjet e përgjithshme që sipas tij do të mbahen shumë shpejt pas 14 majit, zgjedhje ku Meta tha se Rama edhe mund të mos kandidojë.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Karapanço: Në posterin e kryeministrit Rama jeni ju dhe zoti Berisha nuk është Alibeaj bashkangjitur me ju.
Meta: Nuk më bën më asgjë përshtypje nga ky zotëri. Vetëm të na thotë ku kandidon dhe çfarë ndriti në Tiranë në 20 e ca vite, sepse gjërat që mbahen mend në Tiranë i kam bërë unë, Parkun e Rinisë e ktheva unë. Ai shkatërroi Teatrin dhe zonat historike. Edhe unë kisha miq e shokë tu jepja leje ndërtimi, por prevalon interesi i qytetarëve.
Karapanço: Pse Rama merret me ju e Berishën, ndërsa Alibeaj me PD kaloi një kalvar të gjatë për të pasur PD zyrtare, ajo që ndodhi me vulën, KQZ e KAS e në fund me Apelin. Pse ju zgjedh ju si dy figura për ti sulmuar?
Meta: Ai vetëm na nderon nuk na fyen. Fyen qytetarët sepse unë nuk kandidoj. Unë e Berisha do kandidojmë në zgjedhjet që do mbahen shumë shpejt pas 14 majit. Ky nuk dihet a do të kandidojë.
Këshilli Bashkiak, kë ka kandidat emrin e parë? Kuko nuk ka bërë asnjë mbledhje të këshillit bashki, kanë kaluar rreth 1 mld euro buxhet në errësirë të plotë. Ju ftuan në ndonjë mbledhje e nuk vajtët ju apo mediat e tjera?
Ky nuk ka kandidatë as për bashkitë e as për këshillat, dhe del vetë, përgjigjen do e marrë më 14 maj.
Humbjen e ka të sigurt pa asnjë diskutim.
Karapanço: Po konsideroheni si zorra qorre, pas operacionit për apandecitin e Ramës
Meta: Nga kush? Nuk ofendohem nga një njeri që nuk është normal, që nuk pranon të bëjë testin e drogës./m.j