Qeveria shqiptare ka vendosur të shtyjë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit të shtetasve shqiptarë që skadojnë më 14 maj, ose kanë skaduar para këtij afati. Sipas ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ky vendim u mor për të lehtësuar procesin e votimit në zgjedhjet e 14 majit. “
“Duke parë numrin e madh të dokumenteve që skadojnë deri në datën 14 maj, vendosëm që ta shtyjmë afatin dhe në këtë mënyrë të gjithë shtetasit mund të votojnë në datën 14 maj pavarësisht se dokumenti i tyre ka skaduar”, tha Çuçi në një konferencë për mediat.
I pyetur nëse do të ndryshojë çmimi i dokumenteve të identitetit pasi të përfundojë koncesioni dhe kompaninë prodhuese ta marrë në kontroll shteti, ministri tha është një çështje që do të vlerësohet.
“Ajo nuk është lidhur fare me çmimin. Është një marrëdhënie kontraktore me kompaninë që mbaron në fund të korrikut dhe ne si qeveri dhe unë si ministër i Brendshëm do të përfundojmë kontratën dhe do të marrim në dorëzim kompaninë. Pastaj, vendosja e çmimit, pasi ne ta marrim në administrim këtë kompani, është çështje që vendoset. Jemi më fleksibël për të ndryshuar çmimin, se sa më parë. Por jo domosdoshmërish kjo lidhet me ndryshimin e çmimin. Pa diskutim që për dokumentet do të shohim hapësirat tona për t’ia lehtësuar në maksimum shtetasve”, tha Çuçi.
Shoqëria do të jetë në pronësi të Ministrisë së Brendshme dhe do të ketë një kapital fillestar prej 20 milionë lekësh, apo rreth 172 mijë eurosh. Shteti do të trashëgojë nga ALEAT të gjitha pasuritë e saj në 109 pika në të gjithë vendin, së bashku me punonjësit dhe programet kompjuterike.
Koncesioni i akorduar në vitin 2008 skadon këtë vit pas 15 vitesh operim, ndërsa ka qenë një nga më fitimprurësit në vendin tonë, duke arkëtuar rreth 400 milionë euro gjatë këtyre viteve. Vetëm për vitin e kaluar, ALEAT realizoi një fitim prej 2.6 miliardë lekësh.
/a.r