Ish-Kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi ka vendosur që të bëhet vegjetarian. Ai e ka arsyetuar këtë vendim duke thënë se ka lexuar shumë se si vuajnë kafshët nëpër thertore. “Që kur kam lexuar për vuajtjet e kafshëve në thertore, dhe më pas deri në vdekjen e tyre, ma ka ikur dëshira për të ngrënë mish. Ne po flasim për krijesa të mrekullueshme. Si mund t’i vrasin? Si mund t’i hamë ato”, ka thënë Berlusconi. Silvio Berlusconi, në fakt, dëshiron të ndalojë ngrënien e mishit. Duket e pabesueshme që në prag të 80-vjetorit të tij, ish-kryeministri italian do të bëhet vegjetarian. Të dhënat e “Eurispes 2016” flasin për një 8 përqindësh të italianëve që kanë zgjedhur këtë mënyrë jetese (7.1 për qind janë vegjetarianë të plotë, ndërsa 0.9 gjysmë). Në vitin e kaluar, vegjetarianët në Itali ishin 5.7 për qind.