Si sot, më 26 prill 1915, u firmos Pakti i Londrës. Italia nënshkroi Paktin e Londrës me fuqitë e Antantës, Britaninë, Francën dhe Rusinë.
“Traktati i Fshehtë i Londrës”, siç njihet ndryshe ky pakt në historiografi, ishte një ngjarje me peshë të madhe në historinë e Shqipërisë, pasi përfshinte plane për ndarjen territoriale të vendit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon në rrjetet sociale, dokumentet ku sillen 2 nenet që prekën drejtpërdrejt Shqipërinë. Neni 6, sipas të cilit, “Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vlorën, ishullin e Sazanit dhe territorin përreth”.
Neni 7 përcaktonte se, “pjesa qendrore e Shqipërisë është e rezervuar për krijimin e një shteti të vogël të pavarur autonom dhe Italia nuk do të kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë së Veriut dhe Jugut midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”.