Kryeministri Edi Rama ka sqaruar deklaratën e bërë në fundjavë nga Kamza kur tha se nuk do të ketë bashkëpunim të qeverisë me bashkitë ku fitojnë kandidatët e opozitës.
I pyetur nga gazetarët për këtë deklaratë pas mbledhjes së Kryesisë së PS, Rama tha se kjo deklaratë nuk është presion, por kandidatët e koaliconit “Bashkë Fitojmë” i konsideron si kukulla që janë caktuar për të ngritur barrikada mes qeverisë qëndrore dhe bashkive.
“Unë kam folur për kukulla të një çifti ku kemi një non grata, kemi thirrje të përsëritur të SHBA për të bërë shumë kujdes në këtë pikë sepse zgjedhja është e shqiptarëve por edhe cilësia e marrëdhënieve dhe natyra e raporteve me Shqipërinë është e aleatëve tanë. Ata e vendosin se çfarë natyre kanë raportet e tyre me ne. Ka dhe një komponent tjetër. Ky nuk është presion, kjo është një mënyrë për t’ja thënë drejtpërdrejt njerëzve, këta kandidatë nuk janë vënë aty për të zgjidhur hallet dhe problemet e komunitetit dhe për të çuar më tutje punën, por janë vënë aty për të krijuar oaze të luftës politke për të ngritur barrikada me qeverinë qëndrore dhe për t’i trajtuar bashkitë si pengje lufte. Kështu që ne do bëjmë tonën në çdo bashki”.
E për mungesën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkive, Kryeministri Edi Rama solli shëmbullin e Shkodrës që drejtohet nga të djathtët.
“E kemi pasur zero bashkëpunimin me Shkodrën, për arsye se kandidatët e këtyre forcave i përkasin një familje të shthurur politike e cila kurrë nuk ka pasur cilësinë të drejtojë në funksion të njerëzve dhe komuniteteve. Shkodra sot është i vetmi qytet i Shqipërisë ku plehrat rrinë mbi kazanë me ditë të tëra dhe nuk mblidhen. Kështu që është një situatë e jashtëzakonshme sepse zgjedhja është midis një force të madhe politike e cila ka treguar se ç’di të bëjë, jo se i kemi të gjitha mirë, por që ka vullnetin të bëjë edhe më shumë akoma. Politikisht është një vend që s’ka qenë kurrë më i respektuar dhe më i rëndësishëm në rajon dhe në tryezën e madhe të përbashkët të komuntetit politik europian”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
/a.r