Dorëheqja e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga detyra e deputetit të Kuvendit të Kosovës po konsiderohet si ikje nga përgjegjësia në Parlament. Analistët politikë në Kosovë dorëheqjen e Ramush Haradinajt e kanë vlerësuar si një mosseriozitet ndaj votave të qytetarëve. Ata thonë se Haradinaj dha dorëheqje për arsye personale, ndërsa mbetet militant i opozitës në rrugën kundër Qeverisë. Analisti dhe ish-funksionari, Azem Vllasi, konsideron se pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i deputetit ai mund të shpërblehet me një post në Qeverinë e koalicionit PDK-LDK. Sipas Vllasit, Haradinaj është lodhur me veprimet e opozitës dhe nuk ka mundur që jetë pjesë e atyre skenave.