Komisioneri për Emigracionin dhe Çështjet e Brendshme në BE, Dimitris Avramopoulos priti ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili raportoi për rezultatet në luftën ndaj krimit e korrupsionit, për reformën në drejtësi, përfshirë krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe për rolin e Shqipërisë në rajon, për luftën kundër terrorizmit dhe trajtimin e krizës së refugjatëve.
Sipas ministrit Tahiri, komisioneri Avramopoulos mbështet përpjekjet e deritanishme të Tiranës, me synimin e çeljes së negociatave në fund të këtij viti.
“E informova për luftën kundër terrorizmit, veçanërisht për reformimin e sektorit të sigurisë, sa i takon nga njëra anë rezultateve në kuadër të luftës kundër lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar, luftës së korrupsionit, reformimin themelor veçanërisht për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe prioritetin e të gjithave, që është reforma në drejtësi. Mora mbështetje për hapat e hedhur deri tani nga Shqipëria dhe sigurisht vlerësim maksimal për gjithçka kemi bërë deri tani, por edhe për prioritetet që kemi në vijim në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë. Komisioneri do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë, madje e ftova që edhe mbledhja e radhës informale e ministrave të Brendshëm të mbahet në Tiranë”, tha Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm.
Por, zëdhënësja Natasha Bertraud nuk ishte në gjendje të konfirmonte një datë të saktë mbi këtë vizitë, kur u pyet nga TCH edhe mbi temat kryesore të takimit të komisionerit me ministrin shqiptar.
Natasha Bertraud, zëdhënëse e KE: Unë mund t’iu konfirmoj se, sapo u zhvillua takimi i Komisionerit Avramopoulos me ministrin e Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri. Komisioneri dhe ministri Tahiri diskutuan për sfidat që lidhen me sigurinë dhe krizën e refugjatëve. Në këtë kuadër, Komisioneri Avramopoulos informoi ministrin Tahiri se, BE qëndron e gatshme për të ndihmuar, nëse Shqipëria apo çdo vend tjetër i korridorit ballkanik, të hasë një barrë të shpërpjestuar të valës së emigrantëve. Ata biseduan edhe për bashkëpunimin e sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe ato kundër terrorizmit.
Gjatë vizitës dyditore në Bruksel, ministri Tahiri pritet të bisedojë për zhvillimet e fundit në vend edhe me përfaqësuesit e vendeve anëtare që mbulojnë Ballkanin, si dhe me disa eurodeputetë që merren me Shqipërinë. TCH