Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e shtetit Bora Muzhaqi dhe kryebashkiakja aktuale e Durrësit Emiriana Sako, ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë e qytetit në Eco Parkun në Porto Romano.
Ndërsa theksoi se Durrësi sot është një nga qytetet më të pastra të vendit, sipas tij, falë punës së bërë nga kryetarja e bashkisë Sako, Rama u tha po ashtu të rinjve se së shpejti do të sjellë në qytet një nga akademitë më elitare të futbollit.
Kreu i qeverisë nuk e tha se për cilën skuadër futbolli bëhet fjalë, por u premtoi të rinjve se nuk do t’u besojnë veshëve kur ta dëgjojnë lajmin.
“Do të sjellim në Durrës një nga akademitë më elitare të futbollit, të një prej skuadrave më të fuqishme të botës. Nuk dua ta përmend emrin…”
Siç tha Rama, ai dhe kryetarja e bashkisë janë shumë afër arritjes së marrëveshjes për sjelljen e akademisë rajonale e cila, sipas tij do të jetë një derë e hapur për talentet që duan më pas të përgatiten për arenën europiane.
Paralelisht me akademinë, kryesocialisti premtoi hapjen e një shkolle futbolli për fëmijët.
/a.r