Në vitin 2002, Meta u largua nga drejtimi i qeverisë. Në atë periudhë, një aksion i rastësishëm policor shkaktoi një skandal që goditi imazhin e tij dhe Kryemadhit.
Në 7 Shkurt të vitit 2002, në Kukës kapen me 20 kilogram heroinë shtetasit Shkëlqim Konçi dhe Ylli Brahimi. Konçi, ishte shofer i Adi Shamkut, Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, një prej njerëzve më të afërt me Metën dhe Kryemadhin. Ata udhëtonin drejt Kosovës me një fuoristradë me targa policie 0667, ku fshihnin sasinë e heroinës. Çështja vuri para akuzave politike Shamkun, njeriun e Metës dhe Kryemadhit. Ai i konsideroi akuzat sulm politik nga fraksionet brenda PS.
“Goditje nga klane të errëta brenda PS-së që kërkojnë të ndikojnë te prokuroria. Në PS është një klan i errët i Stalinist i cili mundohet të fabrikojë cudira nga më të ndryshmet”, u shpreh ish-drejtori Shamku.
Me këtë qëndrim, ish Sekretari i Përgjithshëm i FRESSH, ka përdorur të njëjtën retorikë kur Ilir Meta synonte të eklipsonte Nanon dhe njerëzit e tij. Ofensiva me kundërakuza pas ngjarjes, synonte të sfumonte zërat që flisnin për lidhjen e ngushtë të Shamkut me fraksionin e binomit Meta-Kryemadhi.
“Të tilla akuza bëhen, por ka nga këta që kanë punuar pranë këtyre udhëheqësve dhe kanë abuzuar edhe vetë”, tha ish-deputeti Braho.
Sakaq, deputeti PS-së, Petro Koçi u shpreh se: “FRESSH i asaj kohe ka qenë gjithmonë si një fraksion real, de fakto por jo de juro brenda PS. Dhe brenda këtij fraksioni Zonja Kryemadhi Po sigurisht bashkë me Metën ishte si shefe personeli, dhe sidomos kur Meta u bë Kryeministër, emërimet ishin kryesisht nga kjo strukturë, në pozicione ku administroheshin interesa financiare të mëdha.”
Pas arrestimit të shoferit, Adi Shamku u akuzua zyrtarisht për falsifikim dokumentesh. Ai kishte zhdukur nga borderoja shoferin duke pretenduar se nuk ishte punonjës i tij. Shamku, kishte mashtruar edhe në një intervistë që kishte dhënë aso kohe.
“Ai moment që është arrestuar nuk ka qenë shofer në këtë ndërmarrje… Kishte pak ditë që ishte pushuar nga puna”- u shpreh ish drejtori i përgjithshëm i rrugëve, Adi Shamku.
Me vendimin numër 796, datë 11 nëntor 2002, Adi Shamku u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vite burg, që u konvertuan në 120 orë punë publike. Në atë histori, me mjaft interes është në ditët e sotme emri i dytë e përfshirë, shtetasi Ylli Brahimi. Në atë kohë, emri i tij nuk thoshte asgjë dhe ai që përmendej ishte shoferi Konçi.
Sot, ai përbën një prej emrave më të përfolur të botës së krimit që rëndom në media përmendej si biznesmen. Ylli Brahimi i ka shpëtuar të paktën dy atentateve. Brahimi njihej si mik i afërt i Ervis Martinajt, bosit të botës së krimit që është shpallur i zhdukur gushtin e vitit 2022. Në dokumentarin e Inside Story për Martinajn, zbulohen edhe atentatet ndaj Ylli Brahimit. 20 vite më parë, Brahimi u arrestua me shoferin e drejtorit të rëndësishëm, rreth i afërt me dyshen politike Meta-Kryemadhi, ndërkohë dy dekada më vonë, rishfaqet si mik i mbretit të kumarit.