Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak i është përgjigjur opozitës në lidhje me deklaratat se nuk njohin anëtarët e këtij këshilli, duke thënë se ishin ata që i braktisën vendet e tyre.
“Kur dëgjoj kundërshtarët tanë, këta non-gratat dhe fuksat e Sigurimit, që thonë se nuk e dimë kush janë anëtarët e Këshillit Bashkiak, kam kohë që pres t’u jap një përgjigje! Them nuk keni si ta dini se ju ikët nga Këshilli Bashkiak. Ju dezertuat! Së pari, detyra e Këshillit Bashkiak nuk është që të njihet, është që të shërbejë. Këtë detyrë e ka kryer më së miri edhe në ditët e pandemisë, edhe kur ishim në karantinë, edhe në ditët e tërmetit, edhe në ditët e inflacionit të luftës që duhet të merrnin shumë vendime për subvencionimet dhe gjithë punët e tjera që bëmë, siç ishte ajo e subvencionimit të abonesë të cilën ne e paguajmë 100% për studentët, si dhe gjysmën e tarifës së konvikteve. Ti nuk mund të njohësh njerëzit nëse ti nuk shërben me ta, nëse nuk punon me ta. Në politikë vendet ku ti shërben janë Këshilli Bashkiak dhe Parlamenti. Nëse ti e braktis këtë detyrë dhe kujtohesh pas katër vitesh dhe thua pse nuk i njoh? Nuk i njeh se nuk ishte aty ku qyteti, vendi kishte nevojë për vendimmarrjen tënde,” deklaroi Veliaj.
“Ne e kemi stekën shumë lart për nxënësit dhe për çdo profesion tjetër, – tha Veliaj, – ndërkohë, e kemi shumë stekën poshtë për politikanët që kujtohen pas katër vjetësh dhe thonë kush janë anëtarët e Këshillit Bashkiak. “Inshallah vazhdojnë si e kanë nisur, se me siguri edhe në këtë Këshill nuk do marrin pjesë me mendtë që kanë. Për sa kohë ne e kemi këtë detyrë, edhe mision, edhe privilegj, deri ditën e fundit kur ky këshill është betuar të shërbejë do vazhdojë të shërbejë,” u shpreh më tej Veliaj./m.j