Prodhuesit globalë të makinave planifikojnë të zbulojnë më shumë se 150 modele të reja në Ekspozitën e 20-të Ndërkombëtare të Industrisë së Automjeteve të Shangait, e cila nisi të martën.
Ekspozita, që njihet edhe si “Auto Shangai 2023” dhe që do të zgjatë deri më 27 prill, është shfaqja më e madhe ndërkombëtare e makinave në botë që zhvillohet deri më tani këtë vit.
Mbi 1 000 ndërmarrje nga e gjithë bota janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë veprimtari që organizohet në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave dhe Konferencave të Shangait. Me 13 salla të brendshme, ajo ka një zonë të përgjithshme ekspozimi më shumë se 360 000 metra katrorë.
Pjesëmarrësit përfshijnë si kompanitë e prodhimit të makinave, ashtu edhe ato të pjesëve të ndërrimit. Në këtë autoshfaqje do të paraqiten më shumë se 1 500 makina, prej të cilave 150 janë modele të reja dhe dy të tretat janë automjete me energji të reja.
“Industria e transportit po përqafon konceptet e udhëtimit me lëshim të ulët karboni e të gjelbër dhe inteligjent në epokën e re. Shumë nga markat kryesore të botës po sjellin modelet e tyre të automjeteve me energji të reja në shfaqjen e makinave të sivjetshme. Gjatë veprimtarisë pritet të mbahen më shumë se 150 konferenca shtypi,” u shpreh Zhou Minhao, kryetar i Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Shangait.
Sipas drejtorisë së doganave të Shangait, të gjitha produktet e importuara për “Auto Shangai 2023”, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 25 milionë dollarësh, janë zhdoganuar dhe janë gati për ekspozitën.