Edmir Vlashi (Marku), është ekstraduar nga Spanja pasi ishte shpallur në kërkim për disa vepra të ndryshme penale. 33-vjeçari, nga Lezha, u arrestua pak muaj më parë në Barcelonë dhe akuzohet si bashkëposedues i një arsenali të përbërë prej 6 armësh zjarri, 1 arme gjahu dhe lëndë plasëse.
Vlashi u arrestua bashkë me Hektor Ndokën, të dy të shpallur në kërkim nga ana e policisë shqiptare për atentatin e dështuar me eksploziv ndaj Preng Palucës dhe gruas së tij në dhjetor të vitit 2021. Dyshohet se shkak për atentatin ndaj Palucës u bë konflikti për prishjen të pazareve të drogës.
Edmir Vlashi u shpall në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, të finalizuar më 7 dhjetor të vitit 2021 në Lezhë. Gjatë këtij megaoperacioni, u sekuestrua arsenali i armëve dhe shuma 88 900 euro e dyshuar e përfituar nga tregtimi i armëve, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas, të afërm të 33-vjeçarit të ekstraduar nga Spanja.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Kujtojmë se më 7 dhjetor 2021, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, në banesën e këtij Edmir Vlashit (Marku) dhe në banesën e të afërmve të bashkëshortes së tij (prindërit dhe vëllai i bashkëshortes, të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij megaoperacioni), policia e Lezhës gjeti dhe sekuestroi 6 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 kuti me lëndë plasëse C4, shumën 88 900 euro, kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellëse, 2 radio si të Policisë, municion luftarak, 1 automjet dhe celularë.
Si do të ndodhte atentati në dhjetor të vitit 2021?
Sipas uniformave blu, Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit. Si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit Nikoll Marku. Ndërsa Mark Lamkja, dhëndri i shtetasit Nikoll Marku, është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë.
Provat e sekuestruara
Policia sekuestroi 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë; 88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit; 2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet. Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë.
/s.f