Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur për financimin e fushatës së koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës në zgjedhjet e 14 Majit. Në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Veliaj u shpreh se Berisha duhet të japë llogari se ku i gjeti 100 mijë euro një parti e paregjistruar në KQZ dhe pa financime nga buxheti i shtetit për hapjen e fushatës në stadium.
Veliaj komentoi edhe deklaratat se paratë janë lëvruar nga Partia e Lirisë, duke theksuar se kjo parti politike financohet nga rusët, duke iu referuar faturave në emër të deputetes Monika Kryemadhi.
“Tirana nuk ia fal Sali Berishës mënyrën se si e përçudnoi qytetin. Nëse do të kuptosh si sillet Saliu me Tiranën, mjafton të shohësh si u soll me selinë kur e drejtonte Lul Basha. Dhe çfarë i bëri asaj selie? Na e dha shijen në stadiumin bosh, kur i fliste sediljeve dhe asnjë gazetar nuk i bëri pyetjen: një parti e paregjistruar në KQZ, një parti pa financime, ku i gjeti 100 mijë euro? Financimi është LSI-ja? Ajo është tamam si ata që kanë borxhe dhe ndërrojnë niptin që të fillojë një llogari e re. Me të drejtë Saliu i merr nga LSI-ja. LSI-ja nga i merr? Koalicioni i tyre nuk ka emër se i vjen turp, se po të vënë emrin e Ilir Metës është non grata për demokratët, po të vënë Saliun është non gata për amerikanët. Pa vulë, pa numër shasie, pa llogari dhe ju thoni i vijnë lekët nga LSI-ja. Po LSI-ja nga i merr lekët? LSI-ja i merr nga rusët. E vetmja faturë që ne pamë është llogaria bankare e drejtueses së LSI-së para se të ndërrohej numri i niptit që i vinin financimet nga rusët. Nga bankat e tyre, rusët çojnë lekët të Monika. Monika ndërron numrin e niptit te Iliri, Iliri ia jep Saliut”, tha Veliaj.
Ai shtoi se Partia e Lirisë ndryshoi emrin dhe niptin vetëm për efekt të borxheve në drejtësi dhe financa. “U ndryshua numri i niptit vetëm për efekt të llogarive. Meqë ka një hetim pasuror si janë paguar amerikanët me LSI-në, ata thanë ta mbyllim këtë numrin e niptit që ka borxhe në drejtësi dhe në financa dhe të hapim një numër të ri nipti”, u shpreh Veliaj.
Nga lagjet e reja tek Piramida, Veliaj flet për investimet në Tiranë: Kush nuk bëri asnjë shkollë për 4 vite, nuk mund të prekë punët e tjera
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka folur për projektet e Bashkisë së Tiranës në mandatin e ardhshëm. Në emisionin “Pa Censurë”në RTSH, Veliaj preku investimin për ndërtimet e reja në lagjen “5 Maji” dhe atë në Kombinat.
Veliaj tha se Tirana do të ketë më shumë të rinj që kodojnë, duke theksuar rëndësinë e restaurimit të Piramidës, si dhe ndërtimin e shkollave. Ai u shpreh se qytetarët e dinë se kush ndërton 40 shkolla mund të bëjë edhe 44, në ndryshim me kundërshtarët që nuk bënë asnjë shkollë në 4 vite.
“Po duhet të mbajë një përgjegjësi edhe kush na vonoi 3 vjet te “Astiri”. Ne përfundojmë te “5 maji”, të gjithë atë lagje të Tiranës policentrike, duhet të mbajë përgjegjësi edhe kush bllokoi rrugën. Ne do mbarojmë “Kombinatin”, ndaj dhe jam vërtet krenar për çfarë kemi bërë, por jam edhe shumë i ndjeshëm që Tirana e së ardhmes, nuk mund të jetë me muhabete të viteve ’90-të. Tirana e së ardhmes nuk do bëjë më tekstil, këpucë dhe Call Centera, do bëjë më shumë kodim. Ndaj, Piramida është e rëndësishme. Besoj se me lotin e fundit të shkollave ne i përgjigjemi një nevoje të jashtëzakonshme të Tiranës dhe një nga arsyet përse ne fitojmë tek Liqeni i Thatë, te “Lagjja 13”, te “Lagjja 14” në “Astir”, është se qytetarët e dinë që punohet dhe me të drejtë kush bën 40 shkolla, bën edhe 44. Kush në këtë zyrë për 4 vite nuk bëri asnjë shkollë, gjasat janë shumë të vogla që të prekë punët e tjera”, deklaroi Veliaj.
Premtimi për transportin publik falas, Veliaj: “Le ta bëjnë në Shkodër, meqë e kanë bashkinë”
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka komentuar premtimin e Berishës dhe Metës për transportin publik falas në Tiranë. Gjatë një interviste në RTSH, ai tha se Berisha ka rastin ta zbatojë këtë projekt në Bashkinë e Shkodrës, e cila drejtohet nga kandidati i tij.
“Shkodrën e drejton opozita. Tani më duket sikur kjo opozitë ka 2 programe: një program e ka për ata që janë rrejt tashmë, dhe një program për ata që do t’i rrejë. Se për Shkodrën nuk thotë njeri gjëra falas. Se e kanë Shkodrën, le ta bëjë falas. Një linjë autobusi ka në Shkodër, bëje falas atë. Pra, pyetja është, të na tregojnë këta ne një qytet, ku këto ide marksiste i kanë zbatuar me kaq shumë sukses, edhe ne do kopjojmë qytetin tyre më të mirë”, tha Veliaj.
Ai hodhi poshtë deklaratën e Berishës dhe Metës se realizimi i transportit publik falas kushton 17 mln euro. Veliaj citoi ekspertët gjermanë, duke përmendur kostot e tjera që merr realizimi i këtij projekti. “Ekspertët gjermanë thonë se kushton 114 milionë euro, sepse ti ndërkohë nuk paguan vetëm biletën, kompanitë paguajnë edhe overdraft-et që kanë marrë. Por ajo që jam duke të thënë është: Tirana ka 20 linja, Shkodra ka 1, ta bëjnë falas atje. Pra, kur ti e di që nuk do fitosh, ti mund të thuash çmenduri të çdo lloji. Unë do duhet ta ruaj cipën, sepse në datë 15 maj do më kërkosh prapë çfarë do bëj pas fitores. Kështu që, unë planifikoj që në datë 15, siç jemi sot në ditë pushimi dhe unë jam në punë, më datë 15 maj planifikoj të kthehem prapë këtu”, u shpreh Veliaj./m.j