Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin për përdorimin e simboleve dhe logos së PD-së në fushatën elektorale nga subjekte të tjera zgjedhore, konkretisht nga Rithemelimi i Sali Berishës.
Në një deklaratë për mediat drejtoresha e komunikimit të kandidatit të PD-së për bashkinë e Tiranës, Mirela Karabina, u ka bërë kërkesë subjekteve politike të mos përdorin dhe keqpërdorin emrin e PD-së në media apo në takime elektorale të cilat nuk kanë asnjë lidhje me PD-në.
Në lidhje me këtë, PD ka bërë një ankesë në drejtim të AMA-s për keqinformimin nga disa subjekte mediatike. Enkelejd Alibeaj në cilësinë e Kryetarit të Komanduar të Partisë Demokratike ka kërkuar që të kryhet një hetim administrativ dhe marrjen e masave të nevojshme për garantimin e informimit objektiv dhe të vërtetë të qytetarëve.
‘Shtabi elektoral i kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë Tiranë, zotit Roland Bejko, i bënë thirrje institucioneve shqiptare, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Amas dhe mediave, të marrin masa dhe të ndalojnë menjëherë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike, logos dhe simboleve të saj nga subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.
Ne kërkojmë nga këto insitucione, zbatimin e shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave të Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje çdo subjekti politik, të mos përdorin dhe keqpërdorin emrin e Partisë Demokratike, në media apo takime elektorale, nga njerëz dhe drejtues të formacioneve të ndryshme elektorale.
Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësohet në garën për Bashkinë Tiranë me të vetmin kandidat, zotin Roland Bejko, i njohur dhe i regjistruar në këto zgjedhje sipas të gjitha ligjeve në fuqi dhe në zbatim të kodit zgjedhor shqiptar. Ne do të marrim të gjitha masat ligjore për të mbrojtur identitetin e Partisë Demokratike, identitetin e të djathtës shqiptare që ajo përfaqëson.
Partia Demokratike ka paraqitur sot “Ankesë në lidhje me keqinfomimin e disa subjekteve mediatike” drejtuar:
Znj. Armela Krasniqi, Kryetare e Autoriteti te Mediave Audiovizive,
Znj. Desada Metaj, Zëvendëskryetare e Mediave Audiovizive,
Z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje mediave dhe institucioneve që monitorojnë ato, të zbatojnë parimin e hapësirave televizive sipas parimit “par condicion” për subjektin politik Partia Demokratike si partia më e madhe opozitare dhe të gjithë kandidatëve të saj për këshillat bashkiak dhe kryetar bashkie.’- u shpreh Karabina.
/a.r