A e dinit që Shqipëria është një nga vendet e para në Evropë për prodhime “bio”? Pavarësisht lajmeve për perime apo fruta me hormone, ngjyrues kimikë etj. etj. në vendin tonë mund të gjesh çfarëdolloj prodhimi bio… kuptohet jo gjithçka, si luleshtrydhet përshembull. Vetëm, nëse shkoni në mal dhe mblidhni fruta të egër. Sipas ambientalistit Lavdosh Ferrunaj, i cili ka dhe një dyqan shumë interesant me produkte organike në zonën e ish-Bllokut, “Natyral and Organik”, Shqipëria është ende një vend prodhues i produkteve bio kryesisht për shkak të llojit të fermave që janë krijuar. “Fermerët shqiptarë janë të vegjël, nuk aplikojnë bujqësi industriale, por atë tradicionale. Kemi më së shumti ferma të përziera mes kultivimit të bimëve dhe rritjes dhe mbarështimit të kafshëve. Kjo nënkupton një cikël organik, çka do të thotë që fermerët përdorin plehun e kafshëve, duke anashkaluar pesticidet apo kimikatet”, thotë Ferrunaj për Shije.al. Sipas këtij të fundit, përfitimi që kemi ende sot nga këto lloj fermash është fakti që fermerët një pjesë të tokës e përdorin dhe si bazë për kultivimin e bimëve për bagëtinë që mbajnë, çka e rrit dhe pjellorinë e vetë tokës.
Çfarë prodhojmë “bio”
Ndonëse ky term përdoret masivisht, produktet e kësaj natyre është pak e vështirë ti hasësh në treg pothuajse gjatë gjithë vitit. “Produktet e fermerëve të vegjël, të stinës, janë më së shumti bio”, thotë Ferrunaj. Sipas këtij të fundit frutat, perimet, fasulja, gruri më pak, të marra në sezonin e tyre mund të cilësohen si bio: “Domatet e serës nuk janë organike, luleshtrydhet që blejmë në çdo muaj të vitit nuk janë organike, përveç atyre që mblidhen në mal, të rritura në mënyra natyrale. Mund të them që vaji i ullirit gjendet bio në Shqipëri, madje ka dhe firma të certifikuara dhe që eksportohen në BE”. Sipas ambientalistit Lavdosh Ferrunaj, Shqipëria është dhe prodhuese e madhe e bimëve medicinale, mjaft të kërkuara dhe në tregun botëror.
Jo “bio”, por pa hormone apo kimikate të paktën…
Pyetjes se a mund të dallohen frutat apo perimet të pjekura artificialisht me ngjyrues apo hormone, Ferrunaj iu përgjigj: “Është thuajse e pamundur t’i dallosh, duhen ekzaminime përkatëse, por di që ka dhe raste të tilla. Vetëm se duhet shtuar se këto hormone kanë kosto dhe fermerët e vegjël nuk mund ta përballojnë financiarisht këtë “ndërhyrje””.
Disa këshilla..
Sipas Z. Ferrunaj, produktet “bio” e kanë më të lehtë të rriten në zonat malore, pra sa më lart është prodhuar një ushqim, aq më shumë shanse ka të jetë bio. “Nëse një fermer ta zëmë nga Shëngjergji i Tiranës sjell domate, ka më shumë mundësi të jetë e prodhuar organikisht. E njëjta gjë vlen dhe për prodhimin e marrë në zona të larta të vendit. Kjo për arsye se sa më lart të kulivohet bima, aq më të shkurtër e ka ciklin e jetës paraziti dhe aq më pak nevojë për t’u trajtuar me pesticide”, ka përfunduar Ferrunaj.
Shije.al