Bashkia e Tiranës ka ngritur përsëri gardhin rrethues në vendin ku ka planifikuar të ngrejë parkun e lojërave. Rrethimi u shkul dje gjatë protestës së opozitës dhe pjesët u çuan para ndërtesës së bashkisë, por duket se nuk do të ketë tërheqje nga planet, të paktën derit tani.
Gardhi rrethues është shkulur dy herë dhe po aq herë është rikthyer, siç duket nga fotot e publikuara nga Panorama, ndërkohë që PD ka premtuar se do të ketë të tjera protesta për të mos e lejuar ndërtimin e parkut.
Duket si historia e ndërtimit të kalasë së Rozafës, por në sens të kundërt. Kalaja në Shkodër ndërtohej ditën dhe prishej natën, deri sa vëllezërit ndërtues vendosën të sakrifikonin nusen e njërit prej tyre, Rozafën.
Parku prishet ditën e ndërtohet natën, histori që mund të vazhdojë deri në bërjen e ndonjë “kurbani”.