Muajin e kaluar, zyrtarët turq iu dërguan një përkujtim të thjeshtë të gjitha stacioneve policore në të 81 provincat e vendit: nëse e ofendoni qeverinë, ndërmerrni masa ligjore menjëherë ndaj tyre. E me sa duket, ky sugjerim do të aplikohet edhe për civilët. Kështu, p.sh. gazeta pro-qeveritare “Yeni Safak” ka raportuar se një shofer kamionësh ka nisur një ankesë ligjore kundër bashkëshortes së tij për shkak se ajo e ka ofenduar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe e ka ndërruar kanalin e televizionit sa herë që Erdogani është paraqitur! E reagimi i gruas së tij? Ka paraqitur kërkesë për shkurorëzim. Bashkëshorti, i cili identifikohet nga “Yeni Safak” vetëm si Ali D. 40-vjeç, citohet t’i ketë thënë gazetës se ai “e ka paralajmëruar atë vazhdimisht, duke i thënë, ‘pse po e bën këtë? Presidenti ynë është njeri i mirë dhe ka bërë gjëra të mira për Turqinë’”. Bashkëshortja e tij, e identifikuar si G.D., më pas e ka nxitur atë që të paraqes ankesë për mendimet e saja politike, transmeton Koha.net. Ky është rasti i fundit në vargun e gjerë të ankesave kundër civilëve që kanë ofenduar presidentin, gjë për të cilën administrata e Erdoganit thotë se është shkelje e kodit penal të vendit.