Nëntë aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje”, në mesin e të cilëve edhe deputeti Glauk Konjufca dhe sekretari i VV-së, Dardan Molliqaj, të cilët u arrestuan javën e kaluar nga policia e Kosovës, do të dalin para gjykatës këtë të enjte. Megjithatë, nuk dihet nëse do t`u vazhdohet paraburgimi apo do të mbrohen në liri. Por, në këtë seancë do të vendoset për veçimin e lëndës, ose jo, shkruan Koha Ditore.
Të arrestuarit e javës së kaluar, përveç Konjufcës dhe Molliqajt, janë edhe zëdhënësi Frashër Krasniqi, Fatmir Kurtaj, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj, si dhe Skënder Merturi. Ndërkaq, në paraburgim janë edhe dy të akuzuarit e tjerë, Besnik Zeqiraj dhe Trim Gashi, të cilët janë arrestuar gjatë protestave të mëhershme të opozitës. Këta, bashkë edhe me 16 aktivistë e ish-aktivistë të tjerë, akuzohen për dy vepra penale: pjesëmarrje në grup për kryerje të veprës penale, si dhe dëmtim të pasurisë së paluajtshme. Më saktësisht, për dëmtimin e disa veturave të EULEX-it në vitin 2009.