Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar shtyrjen e diskutimit dhe miratimit të projektligjit për taksat kombëtare. Deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se duhet diskutuar skema për fermerët jo diskutime individuale që prekin një prodhues.
Në kundërpërgjigje, Eduard Shalsi tha se është e keqinformuar ose po dezinformon ndërsa theksoi se qëllimi është të rregullojnë disa probleme teknike. Me ironi, u shpreh se mazhoranca i pranon gabimet dhe i rregullon ndërsa opozita pretendon se është e pagabueshme.
“Të diskutohet skema për fermerët. Diskutimet individuale për ligjin që prek vetëm një prodhues, ky parlament duhet të ketë turp që t’i diskutojë”, tha Tabaku.
“Keqardhje që Tabaku është e keqinformuar ose dezinformon. Do të ftoja në takimet me grupet e interesit. Kemi qëndruar deri natën vonë. Përmende termin barista që domethënë se nuk e ke idenë për çfarë diskutojmë. Nëse doni që të bëjmë shërbim do të duhet më së paku të merrni pjesë në diskutimet e komisionit të Ekonomisë dhe po jua përsëris kemi zhvilluar disa takime me grupe të ndryshme interesi, kemi vizituar edhe mjediset e tyre, duam të sigurohemi që po korrektojmë një gabim që është bërë. Kemi marrë dhe një shqetësim për të cilin ne jemi shumë të ndjeshëm por së paku duhet të ishim serioz që nëse jeni të shqetësuar, ejani në këto tryeza. Ka një qëllim të qartë ky ndryshim. S’kemi rënë dakord për aspektin teknik por qëllimi është të korrektojë një gabim të bërë. Nuk kemi droje të pranojmë që kur një gjë s’bëhet mirë, ta rregullojmë. Ju jeni të pagabueshëm”, tha Shalsi.
/s.f