I projektuar me angazhimin e SHBA-BE për të goditur korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar, SPAK ka rritur procedimet penale kryesish, pra pa një kallëzim penal, por në bazë të investigimeve mediatike apo indicieve të tjera. Në raportin për veprimtarinë e SPAK-ut për vitin 2022, theksohet se gjatë vitit 2022 janë regjistruar 28 procedime penale me 34 persona në hetim për afera korruptive dhe krim të organizuar.
Gjatë vitit 2021 numri i procedimeve penale kryesisht ishte 18 me 9 persona nën hetim. Në raport thuhet se prokurorët e SPAK-ut, kanë përdorur teknika proaktive të hetimit, ku përveç përgjimeve telefonike “janë aplikuar në masë të konsiderueshme të gjitha metodat e posaçme te hetimit, apo disa here në të njëjtën çështje (vëzhgime, simulime, dorëzim i kontrolluar, letërpososi, agjentë të infiltruar etj..)”.
Në raport thuhet gjithashtu se tashmë SPAK ka akses të drejtpërdrejtë në të gjitha databasat shtetërore si në Sistemin e Gjendjes Civile, ASHK, Drejtorinë e Burgjeve, Regjistrin e Llogarive Bankare, SEMD, DPSHTRR, Regjistrin Noterial Shqiptar, Regjistri i Pronave përfitues, sistemet e policisë se shtetit ADAM, E-Gjoba, Raporte-Statistika dhe TIMS.
Në raport thuhet se gjatë vitit 2022, janë krijuar 10 skuadra të përbashkëta hetimore me autoritetet e huaja për hetime ndaj grupeve kriminale dhe terrorizimit.
“Ndarja sipas shteteve do të ishte, Italia me numrin më të madh me 6 skuadra të përbashkëta 1 skuadër me Italinë dhe Kosovën, 1 skuadër e përbashkët me palë Suedi-Ukrainë-Spanjë, Gjermani-Gjeorgji-Finlandë-Letoni, 1 skuadër me Francën, 1 skuadër me Britaninë e Madhe”, thuhet në raport.
Gjatë vitit 2022, SPAK ka dërguar 62 letërporosi autoriteteve gjyqësore të huaja për të marrë informacion në lidhje me dosjet e hapura për korrupsion, afera me tenderat, trafiqe, mashtrime, mashtrim kompjuterik, vjedhje, falsifikim të dokumenteve etj.
“Ndarja sipas shteteve do të ishte, Italia 12 kërkesa, Kosova 7 kërkesa, SHBA dhe Maqedonia e Veriut 6 kërkesa, Gjermania 4 kërkesa, Holanda, Mali i Zi, Belgjika dhe Franca 3 kërkesa, Zvicër, Greqi dhe Britania e Madhe 2 kërkesa, dhe të tjerat nga 1 janë: Ekuadori, Çekia, Suedia, Spanja, Austria, Qipro, San Marino, Meksika dhe Turqia”, thuhet në raport./shqiptarja.com